Greqia paralajmëroi se qytetarët mbi 60 vjeç që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 do të paguajnë gjobë prej 100 eurosh në muaj.
Kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis, duke vënë në dukje numrin në rritje të rasteve dhe faktin se pacientët në repartet e kujdesit intensiv janë kryesisht të pavaksinuar, paralajmëroi hapa të rinj që do të ndërmerren në luftën kundër pandemisë.
Mitsotakis, i cili kërkoi që qytetarët mbi 60 vjeç që nuk janë vaksinuar të caktojnë takim për vaksinim më së voni deri më 16 janar, njoftoi se ata që nuk vaksinohen pas kësaj date do të gjobiten me 100 euro në muaj.
Ai deklaroi se gjobat që do të mblidhen nga personat e pavaksinuar do të përdoren për financimin e spitaleve.
Kryeministri grek theksoi se kjo masë nuk ka për qëllim “dënimin”, por “mbrojtjen”. Ai njoftoi se para festës së Krishtlindjeve, të gjithë personat mbi 18 vjeç do t’i nënshtrohen një testi falas për COVID-19 në datat 6-12 dhjetor, pavarësisht nëse janë të vaksinuar ose të pavaksinuar, për të parandaluar përhapjen e virusit
Mitsotakis tha se për përcaktimin dhe kontrollin e rrjedhës së pandemisë gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve, teste falas për COVID-19 do të shpërndahen për të rriturit në datat 3-7 janar.
