Roja bregdetare greke ka njoftuar sot se është vënë në kërkim pas të paktën gjashtë refugjatëve të zhdukur në det, pasi është përmbysur gomonja me të cilën nga Turqi kanë hyrë në ujërat territorialë grekë te ishulli Lesbos, në Detin Egje.
Sipas komunikatës, gjashtë emigrantë të tjerë janë shpëtuar, ndërsa është gjetur trupi i pajetë i një mashkulli.
Roja bregdetare është alarmuar sot në mëngjes pasi një anije peshkimi ka shpëtuar një person në afërsi të bregut lindor të Lesbosit, ndërsa një tjetër ka arritur në breg me not.
Emigrantët e shpëtuar u kanë thënë autoriteteve greke se në gomone kanë qenë rreth 15 veta kur ajo është përmbysur në det.
Një numër i madh refugjatësh, kryesisht nga Lindja e Afërme, kohët e fundit ia kanë mësyrë ishujve grekë nga Turqia fqinje.
