Nga e premtja, përveç karantinës që ka qenë në fuqi për pesë ditë, vendoset edhe orë policore në të gjithë Greqinë, gjegjësisht kufizim i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias në një konferencë urgjente për shtyp pasdite kumtoi se do të lejohet dalja për punë, për arsye urgjente shëndetësore dhe për shëtitje të kafshëve shtëpiake dhe për secilën nga këto arsye, nevojitet vërtetim adekuat (për punë) ose dërgim i sms.
Hardalas shpjegoi se vendimi vjen pasi u konkludua se ka lëvizje të panevojshme të qytetarëve.
Për tre ditë me radhë, numri i vdekjeve nga Kovid-19 në Greqi është mbi 40 persona në ditë, ndërsa nga dita në ditë, numri i pacientëve të kyçur në aparate po rritet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Organizata kombëtare për Shëndet Publik të Greqisë, në 24 orët e kaluara janë regjistruar 2.752 raste të reja me Kovid-19, 43 persona kanë vdekur dhe 297 pacientë janë kyçur në aparate, 34 më shumë se dje.
Dhe nga rastet e reja të sotme, shumica janë në Selanik (777 të infektuar të rinj) dhe në zonën e Atikës, rajoni më i gjerë i Athinës (635).
Që nga fillimi i epidemisë, në Greqi janë regjistruar gjithsej 63,321 raste me Kovid-19, ndërsa kanë vdekur njerëz.
Për shkak të pasqyrës së dobët epidemiologjike në vend, nga e shtuna është vendosur karantinë në të gjithë Greqinë, e cila do të zgjasë deri më 30 nëntor.
