Gratë shtatzëna të vaksinohen dhe të kthehen në punë! KSI rekomandon shfuqizimin e lirimit të shtatzënave nga puna

TË FUNDIT

Shtatzanat të vaksinohen për mbrojtje nga Covid-19 dhe të kthehen në vendet e punës. Ky është rekomandimi i fundit i Komisionit për sëmundje ngjitëse. Ekspertët shëndetësorë propozojnë që të hiqet masa me të cilën u mundësohet grave shtatzëna që të lirohen nga puna si pasojë e rrezikut nga Covid-19, në përputhje me situatën epidemiologjike me virusin korona.

“Masa e dytë ka të bëj me gratë shtatzëna dhe propozimin deri tek ministri i Shëndetësisë është që të hiqet lirimi nga puna për gratë shtatzëna. Sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe shembujve nëpër botë ku fuqishëm rekomandohet që gratë shtatzëna…që planifikojnë shtatzëni ose për gjidhënëset, të vaksinohen dhe në këtë mënyrë ta mbrojnë shëndetin e tyre”, tha Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i KSI.

Ndërkaq komisioni rekomandon që të hiqet masa për kërkimin e certifikatave për Covid-19 për shtetasit e Maqedonisë së Veriut gjatë daljes nga vendi. Mirëpo nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kërkimit të certifikatave për vaksinim gjatë hyrjes në objekte të caktuara. Të njëjtat do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Dua të sqaroj këtu se në shtetet ku do të duhet të posedoni PCR test ose certifikata Covid, ose jeni të vaksinuar, se atje nuk do të ju kërkohet“, pohoi Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i KSI.

Rekomandimet pritet t’i shqyrtojë shtabi koordinues i krizave dhe më pas t’i miratojë ose t’i hedh poshtë Qeveria. Vendimi i Qeverisë për lirimin e shtatzënave nga puna është miratuar në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 03.11.2020, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive.  Që atëherë gratë shtatzëna janë liruar nga puna dhe përgjegjësitë e punës me prezencë fizike në punë, deri në përfundimin e pandemisë me KOVID-19, të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.