Në Gostivar u hap Qendra rinore e resurseve e cila është e para e këtij lloji në Maqedoni që do t’u shërbejë të rinjve nga i gjithë rajoni i Pollogut. E njëjta ofron mundësi të shumta dhe trajnime të ndryshme edhe për personat me nevoja të veçanta. Në këtë hapje të pranishëm ishin kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, rektori i UEJL-së Albdylmenaf Buxheti, ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni dhe përfaqësuesja e UNDP-së .
“Fakti që rajoni i Pollogut është mjaft aktiv në tregun e punës tregon se vitin e kaluar me masat aktive të qeverisë janë themeluar 231 biznese të reja nga ku 80 janë të themeluar nga të rinjtë”, tha Jagoda Shahpaska – Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
“Duke ditur se zhvillimi sotëm varet nga inovacioni më vjen mirë që pjesa akademike bën pjesë në këtë projekt dhe më përkrahjen e universiteteve do të arrihen qëllimet që i kemi parashikuar në këtë projekt”, theksoi Narine Sahakyan – UNDP-Maqedoni.
“Unë pak më parë e pashë qendrën e re dhe më të gjitha nevojat që ka komuna e Gostivarit dhe qendra parashihet të jetë qendër për rajonin e Pollogut dhe kjo qendër duhet të jetë funksionale dhe do të ketë përkrahjen e komunës së Gostivarit me të gjithë mundësitë që i ka”, deklaroi Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit.
“Të gjithë e dimë se rinia është pjesë e rëndësishme në shoqëri dhe ata janë udhëheqës të ndryshimit në çdo vend. Kjo qendër ofron mundësi të mira të marrin praktika dhe të shkëmbejnë njohjet me të tjerët”, potencoi Sybille Suter – Ambasadore e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut.
“Më vjen mirë që jemi pjesë e këtij trajnimi në komponentët tonë, për të trajnuar gjenerata të reja, për t’i lidhur ata me dijen dhe praktiken edhe unë dëshiroj që pikërisht atë ta bëjmë”, u shpreh Abdylmenaf Bexheti – Rektor i UEJL-së.
Koordinatori i projektit Azir Aliu tha se në këtë qendër, përveç mundësive që ofrohen për të rinjtë, një hapësirë e veçantë dhe trajnime adekuate do t’u ofrohen edhe personave me nevoja të veçanta.
Qendra në fjalë është pjesë e projektit “Krijimi i mundësive për punë për të gjithë”, që financohen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me partnerët lokalë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
