Autoritetet spanjolle pohojnë se pandemia e koronavirusit në vend është nën kontroll pasi Britania vendosi karantinë të detyrueshme për të gjithë turistët që ktheheshin prej saj.
Numri i infeksioneve me koronavirus në Spanjë është rritur ndjeshëm kohët e fundit pasi autoritetet lehtësuan masat kufizuese për të luftuar pandeminë. Disa rajone të vendit tani kanë rikthyer masa të caktuara kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë edhe mbajtjen e detyrueshme të maskave.
“Spanja është e sigurt si për spanjollët ashtu edhe për turistët”, tha ministri i Jashtëm Arança Gonzalez Laja.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur karantinë të detyrueshme dyjavore për të gjithë ata që vijnë nga Spanja. Ky vendim hyri në fuqi sot, vetëm disa orë pas njoftimit, i cili shkaktoi pakënaqësi në mes të turistëve dhe agjencive të udhëtimit. Vendimi ndikoi ndjeshëm edhe në punën e kompanive ajrore.
Tur-operatori më i madh në Britani, Tui ka anuluar të gjitha udhëtimet në territorin spanjoll deri më 9 gusht, ndërsa “British eruejs” është ende duke fluturuar për në destinacionet aktuale, por thotë se masa e re e Qeverisë ka prishur ndjeshëm planet për pushime të mijëra britanikëve.
Sipas BBC, numri i rasteve të Kovid-19 në vend është trefishuar në dy javët e fundit. Ashtu si në vendet e tjera ku situata epidemiologjike po përkeqësohet, rritja e numrit të infeksioneve të reja është kryesisht e kufizuar në disa rajone, përfshirë provincat Katalonja dhe Aragon.
Kreu i diplomacisë spanjolle tha se shpërthimet e infeksionit në vend janë nën kontroll të plotë dhe se shfaqja e tyre pritet pas heqjes së masave kufizuese.
Ajo shtoi se Ishujt Kanarie dhe Balearik, të cilat janë destinacione të njohura turistike, nuk kanë numër të lartë të personave të infektuar dhe janë “territore shumë të sigurta”.
Ministri tha gjithashtu se autoritetet do të përpiqen të bindnin Mbetërinë e Bashkuar të hiqte vendimin e detyrueshëm të karantinës për njerëzit që ktheheshin nga Spanja.
