Policia njofton se dje rreth orës 19:05, në Sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë është raportuar se në rrugën magjistrale Kumanovë–Kriva Pallankë, në vendin e quajtur “Smilçincë” në komunën e Staro Nagoriçan, ka ndodhur një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi.
Sipas raportit, një veturë Volkswagen Golf me targa nga Kriva Pallanka, e drejtuar nga S.T. (25) nga fshati Neravë, ka goditur një qen endacak, pas çka automjeti ka kaluar në korsi të kundërt dhe është përplasur direkt me një veturë BMW, e drejtuar nga F.J. (27) nga fshati Dlaboçica.
Nga aksidenti, të dy shoferët dhe pasagjeret e veturës BMW, A.S. (20) dhe S.J. (53), të gjitha nga Kriva Pallanka, kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku shoferi i Golf-it, S.T., i ka ndërruar jetë për shkak të lëndimeve. Mjeku ka konstatuar vdekjen, dhe me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar për obduksion.
Një ekip i SPB Kumanovë ka kryer hetimin në vendin e ngjarjes.
