Gjysma e Kopanicës pa ujë, banorët në protestë! Kryetari i Jegunocit: Ujë ka, por banorët s’e duan me orëmatës

TË FUNDIT

Rreth 100 banorë të fshatit Kopanicë të komunës së Jegunocit shkuan para komunës për të kërkuar ujë të pijshëm. Ata akuzojnë komunën se bën ndarje – një pjesë e fshatit ka ujë, një pjesë jo. Sipas banorëve, problemi me ujin është i kamotshëm, por kryetari i komunës nuk ua lëshon ujin të gjithë banorëve. Akuzojnë se kryetari bën ndarje etnike.

“Një kohë e gjatë që fshati jonë përballet me problemin e ujit, kurse kryetari aktual nuk ka dëshirë me rregullu këtë problem. Një pjesë e madhe e fshatit tonë ka ujë, ku përfshihen bashkëfshatarët tanë maqedonas. Kemi tentuar, kemi mbajtur mbledhje. Ditën e parë ka thënë se nuk ua lëshon ujin: ‘Ju nuk paguani, ju vidhni.

“E lus kryetarin të marrë masa sa më shpejt, se tre muaj jemi pa ujë. Bojler s’mund të përdorim, aparaturë s’mundemi, rri me shkopin si sllamka. Vinë fëmijët, duan të lahen, të pastrohen – pa ujë, në temperaturë dyzet. Ngrohim bidona katër-pesë dhe lahemi. Në cilin shekull jetojmë? Në çfarë shekulli jemi ne?”

“Shumë problem. Në këtë kohë, me kova bajmë ujë. Gypat dy palë në fshat kemi, por si i ka dëmtuar komuna nuk e dimë ne, se këta i prishin ventilet. Neve na akuzon se nuk paguajmë, por paguajmë ne – të gjithë kemi paguar kyçje, gjëra. Por ujë nuk kemi sërish. Uji jonë nuk pihet se e marrim nga fushat. Për gjashtë muaj më është prishur bojleri.”

“Ironia më e madhe është se gjysma e fshatit ka ujë, e gjysma nuk ka ujë. Ajo është ironia më e madhe. Të gjithë fshatrat e komunës sonë nuk e kanë këtë problem, veç fshati jonë e ka këtë problem. Edhe një muaj e gjysmë që janë këto temperatura nuk ka ujë. Edhe një muaj e gjysmë në çdo iniciativë që kemi marrë, nuk i kemi dalë në qosh.”

Por kur banorët hynë në komunën e Jegunocit, ata patën një zënkë verbale me kryetarin e komunës.

E kryetari i komunës, për TV21 tha se ai nuk bën ndarje etnike, por sistemi i ujit është me rrymë dhe banorët nuk paguajnë që të kenë ujë. Në momentin që do të kenë një marrëveshje me komunën, atëherë do të kenë edhe ujë të pijshëm.

 “Problemi është se banorët e Kopanicës janë të thirrur që të harxhojnë ujë dhe të mos paguajnë. Derisa jam unë kryetar i komunës, kjo ka mbaruar. Ujë në Kopanicë ka – tani mund t’ju dërgoj, edhe nga ujësjellësi i ri i Jegunocit ka ujë, edhe Kopanica mund të ketë ujë në sekondë. Vetëm të hapet ventili dhe Kopanica fiton ujë. Por ata banorë që më akuzojnë duhet të vijnë të nënshkruajnë marrëveshje me ndërmarrjen, të vendosen orëmatës, të matet dhe ujë do të ketë pa kufi nga tani”, tha Dimitar Kostadinoski – Kryetari i komunës së Jegunocit.

Banorët thonë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Ndërsa nga ana e komunës thonë se banorët mundohen që tash, para zgjedhjeve, të përfitojnë që të kenë ujë edhe të mos paguajnë.