Gjysma e punimeve në sistemin e kanalizimit në Haraçinë është pothuajse gati.
Makineri të shumta këtë të hënë punuan në rrjetin sekondar të një pjese të fshatit.
Banorët e lagjeve dolën për t’i parë nga afër.
I madh e i vogël u mblodhën për të pritur zyrtarët e qeverisë.
“Kjo është duke u bërë një punë e mirë, por është dashur të bëhet edhe më herët. Pak është vonuar, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Pak e kemi me vështirësi se unë jam me karrocë dhe duhet të dal, por do të kem durim deri sa të bëhet. Mirë po bëhet! Kjo pjesë nuk është vonuar, ka një javë që kanë nisur, por janë disa punë të tjera që kanë nisur moti, si një rrugë atje poshtë më bënë shumë problem se për çdo ditë e kalo atë rrugë dhe e kam me vështirësi siç jam në këtë gjendje”, tha ky banor i Haraçinës.
Ndërtimi i rrjetit sekondar të kanalizimit fekal kap vlerën e 20 milionë denarëve. Prej tyre 4,5 milionë denarë ka ndarë Komuna e Haraçinës, e pjesa tjetër mbulohet nga Qeveria dhe Ministria.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti tha se deri më tani janë kryer 50% dhe gjysma tjetër pritet të përfundojë nga fundi i shtatori.
“Ajo që për disa ka qenë e paarritshme për më shumë se tre dekada ne e bëmë realitet. Ndërtuam kanalin anësor, filluam ndërtimin e rrjeteve të reja fekale, atmosferike dhe të ujësjellësit dhe siguruam rregullimin urban përmes ndërtimit të shtigjeve për këmbësorët dhe shëtitoreve, siç është rasti përgjatë lumit të Mojancës… Puna jonë nuk do të ndalet këtu, do të vazhdojmë të investojmë, jo sipas linjave partiake apo etnike por, kudo ku ka nevojë reale. Ne besojmë në një politike të përgjegjshme që sjell rezultate konkrete dhe qëllimi ynë është që çdo qytetar ta ndjejë ndryshimin”, deklaroi Mexhiti.
Në 13 muajt e fundit, sipas autoriteteve, Haraçina ka përfituar investime në vlerë prej 164 milionë denarëve, projekte këto të mbështetura nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor në kuadër të programit për investime kapitale nëpër komuna. Vetëm ndërtimi i kanalit kushton 64 milion denarë, ndërsa 100 milionë denarë për projektet tjera infrastrukturore.
