Ish-gjykatësi i Apelit, Gjoko Ristov, të cilit hetuesit i gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, sot në fillim të procesit gjyqësor në Gjykatën Penale u deklarua i pafajshëm për veprat penale që i ngarkohen.
“Nuk ndihem fajtor as për veprën e parë, as për të dytën penale duke pasur parasysh kualifikimin juridik”, deklaroi Ristov para gjykatës.
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, ndërkohë, tha se Ristov ka ndërmarrë me vetëdije veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e tij si gjyqtar. Prokuroria, siç u tha, do të provojë se Ristov, si gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ka dhënë të dhëna të rreme për gjendjen e tij pasurore, si dhe ka fshehur të dhëna për pasurinë e tij. Po ashtu do të provohet se Ristov ka përdorur pjesën e shtëpisë ku u gjetën paratë, të cilat sipas aktakuzës ishin fshehur pas elementeve të kuzhinës.
I akuzuari, i cili është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, tha se e kupton çfarë i vihet në barrë, por nuk ndihet fajtor as për veprën e parë dhe as për të dytën. Ai theksoi se për pastrim parash duhet të ekzistojë një vepër penale nga e cila burojnë ato para.
Nga mbrojtja e tij, në seancë ishin të pranishëm avokatët Zvonko Davidoviq dhe Dushko Jankoviq. Davidoviq tha se mbrojtja do të përballet me teorinë e prokurorisë të quajtur “muret flasin, ndërsa provat heshtin”, duke shtuar se në sallën e gjyqit nuk flasin ndjenjat, por provat e ftohta.
“Klienti im ka ushtruar profesionalisht detyrën për dekada dhe para se të dilte në gjykatë, tashmë ishte dënuar në publik”, shtoi ai.
Ai theksoi se asnjë provë nuk e lidh Ristovin me veprat që i atribuohen dhe se mbrojtja do të provojë origjinën legale të pasurisë së prindërve të tij, duke argumentuar se paratë nuk kanë lidhje me të akuzuarin.
Më 17 prill, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se gjatë bastisjeve, më 18.01.2026 në shtëpinë e prindërve të një gjyqtari në Negotinë, u gjetën gjithsej 350 mijë euro, për të cilat ai nuk kishte dëshmi për origjinën dhe nuk i kishte deklaruar.
Paratë ishin të paketuara në 13 pako të veçanta, gjithsej 610 kartëmonedha nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha nga 200 euro, të fshehura në një hapësirë të mbyllur brenda murit të një dhome. Prokuroria thotë se ekziston dyshim i bazuar se gjyqtari, në periudhën nga 10.02.2020, si zyrtar publik, ka dhënë të dhëna të rreme dhe nuk ka deklaruar pasuri që tejkalon në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat e tij ligjore.
Prokuroria theksoi gjithashtu se ka siguruar prova të forta për pronësinë e mjeteve monetare. Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Biljana Kocevska, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 9 qershor.
