Gjykata e Fierit në Shqipëri gjatë ditës së sotme dha masën e arrestit me burg për Klodian Çalamënin. 38-vjeçari do të gjykohet pas hekurave për vrasjen e 8-vjeçarit që u gjet i mbuluar me baltë në oborrin e vrasësit.
Familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamënin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së agravuar.
Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.
“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu,” – tha nëna e djalit të vrarë ndërsa të tjerë u shprehën se dënimi me burg nuk do ta linte të prehej në paqe 8-vjeçarin.
Ndryshe, Klodian Çalamëni më herët kishte pranuar veprën penale.
