Gjykata Supreme po jep kontributin e saj në përforcimin e sigurisë juridike dhe stabilitetit të shtetit, edhe gjatë kësaj periudhe kur po krijohet energji negative në shoqëri ndaj gjyqësorit. Kjo u theksua nga kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedelkova me rastin e shënimit të 70 vjetorit të formimit të kësaj gjykate.
“Në përpjekjet tona kërkojmë mbështetje nga mendimi publik për ndalimin e persekutimit , kundër gjyqësisë së Maqedonisë, e cila paraqitet ndryshe në publik. Kjo i ka dobësitë dhe gabimet e veta, por nuk duhet të harrojmë se gjykata është thelbi i konstruksionit të shtetit. Prandaj të mos jepen kritika paushalle, që të mos e rrënojmë sistemin gjyqësor”, u shpreh Lidija Nedelkova.
Ajo bëri thirrje, që publiku të përmbahet nga kritika paushalle, të pamatura dhe destruktive dhe në vend të saj, me dëshirë të mirë të kontribuohet për një gjyqësi të pavarur.
Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, vlerësoi se në vend po mbizotëron një periudhë turbulente ku, siç tha ai, për fat të keq, në mënyrë të organizuar po krijohet mosbesim ndaj të gjitha institucioneve, veçanërisht në pushtetin gjyqësor. Sipas tij, të tria institucionet shtetërore duhet të punojnë në dobi të qytetarëve, por jo në dobi të interesave të caktuara, pas të cilave qëndrojnë lidhje të ngushta.
„Humbja e besimit në institucionet, e veçanërisht në pushtetin gjyqësor, siç ishte shembulli me deklaratën e liderit partiak se ai nuk e njeh gjykatën, paraqet rrënim të vetëdijshëm të shtyllave të Maqedonisë demokratike. Jam i bindur se marrëdhëniet e tilla ndaj pushtetit gjyqësor, nuk janë në dobinë e atyre të cilët e krijojnë atmosferën antidemokratike”, tha Trajko Veljanovski
Për Ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, gjykatat duhet ta pranojnë çdo kritikë me qëllim të mirë.
“Kritikave u përgjigjet me vendime gjyqësore të drejta dhe me praktikë të mirë gjyqësore. Nuk do të pajtohesha se mediat bëjnë presion mbi pushtetin gjyqësor. Mediat janë ato që e ndjekin punën e pushtetit gjyqësor dhe të gjykatave. Edhe duhet ta ndjekin. Ndërsa, gjykatat janë ato që çdo kritikë me qëllim të mirë mund ta pranojnë.”
Gjykata supreme 70 vjet pas themelimit të saj, sot ka 25 gjyqtarë të ndarë në 4 njësi: penale, civile, departament për gjykim në afat të arsyeshëm dhe departament për praktikë gjyqësore.
