Gjykata Supreme do t’ia marrë objektin LSM-së/ Trendafillov: Objekti mbijetoi tërmetin e vitit 1963, do ta mbijetojë edhe këtë

TË FUNDIT

Gjykata Supreme do t’ia marrë objektin Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Për të reguar për këtë doli kryetari i sindikatës, Sllobodan Trendafillov, i cili tha se objekti kur është ndërtuar ka qenë me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, me marrëveshje për ndërtim dhe ka kushtuar rreth 8 milion dollarë. Një pjesë e atyre të hollave thotë se janë paguar nga vet paga e të punësuarve.


“Morëm informacione jozyrtare për të cilat ne nuk duam të besojmë se janë të vërteta. Se Gjykata Supreme ka sjellë një vendim me çka merret shtëpia e punëtorëve, shtëpi që është ndërtuar nga mjete të punëtorëve në vitin 1958, në bazë të dokumentacionit të përgjithshëm të cilën e posedojmë. Shtëpia e punëtorëve e ka mbijetuar tërmetin katastrofal në vitin 1963, do të mbijetojë edhe tërmetin e Gjykatës Supreme të cilët duan ta bëjnë në këtë mënyrë.”- deklaroi Sllobodan Trendafillov – Kryetar i LSM.
Ky informacion u konfirmua nga vet Gjykata Supreme. Nga atje thonë se objekti ku gjendet LSM por edhe parcela e saj, janë në pronësi të shtetit. Shtojnë se në periudhën kur është ndërtuar ndërtesa, të drejtën për pronësi e ka pasur një organizatë politike, e cila nuk ka pasur veprimtari tregtare.

“Vendimi është marrë në bazë të nenit 82 nga Ligji për Shoqata të Qytetarëve dhe Fondacione, sipas së cilës, patundshmëria dhe mjetet e ndara për organizatat shoqërore dhe civile, të fituara për përdorim nga ana e shoqatave të mëparshme shoqëroro-politike dhe shoqata vetëqeverisëse, janë në pronësi shtetërore. Në periudhën kur është ndërtuar patundshmëria, përfaqësuesi ligjor i të pandehurit ka qenë organizatë shoqëroro-politike, e cila nuk ka poseduar veprimtari tregtare, me çka nuk ka pasur dhe nuk ka mundur të ketë të ardhura për marrjen e patundshmërisë.”- thanë nga Gjykata Supreme.

Duke qenë se sindikalistët kërkuan dorëheqjen e kryetares së gjykatës, nga Supremja thonë se kryetarja e nuk ka të drejtë të merr pjesë për lëndë të tilla, e as që mundet të ndikojë në sjelljen e vendimeve.
I pyetur rreth kësaj, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk i komenton vendimet e gjykatave, mirëpo shprehet se gjithmonë do të jetë në anën e punëtorëve dhe sindikatës dhe shpreson që objekti t’i kthehet LSM-së.
“Unë jam në anën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, punëtorëve të Maqedonisë dhe të rrojë populli punëtor i Maqedonisë.
-T’u kthehet?
-T’u kthehet!”- tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Nga LSM paralajmërojnë se nëse kjo është përpjekje për të ndalur protestat e punëtorëve, do të ndodhë e kundërta, respektivisht se protestat do të shtohen edhe më tepër.