Gjuriq- Vendimin e gjykatës nuk e anulojmë për një terrorist

TË FUNDIT

“Dikush duhet të interesohet për krimet e kryera kundër serbëve në provincë (Kosovë)”, ka thënë drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Në këtë mënyrë, ai ka reaguar ndaj sugjerimeve të shprehura nga parlamentarja evropiane dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, se Serbia do të duhej të anulonte verdiktin kundër Hashim Thaçit si dhe urdhër-arrestin ndaj tij.

“Nuk e di nëse është në pajtim me standardet evropiane të komentohen vendimet e gjykatës, e aq më pak për urdhrat e lëshuara nga një prokuror për krime lufte”, ka thënë ai gjatë një konference për media ku prezantoi raportin në lidhje me progresin e arritur në dialogun me Kosovën, raporton Tanjug.

Gjuriq theksoi se vendimet në raport me Thaçin janë valide, të marra nga institucionet gjyqësore të Serbisë dhe shtoi se Beogradi i ka informuar autoritetet në, siç tha ai, “provincë për këtë dhe për përkushtimin e tij për ta implementuar këtë në rast nevoje”, transmeton Koha.net.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar u informua se do të arrestohej në rast se do ta vizitonte Beogradin, bazuar në një vendim gjykate të vitit 1998 që e shpalli atë fajtor për terrorizëm.

“Si nuk iu shkoi asnjëherë në mendje këtyre që bëjnë kërkesa të këtilla, siç është rasti i Lunacek, që të interesohen për të zbuluar nëse e ashtuquajtura UÇK-ja terroriste ndoshta ka kryer krime lufte në Kosovë e Metohei”, pyeti Gjuriq.

Ai vazhdoi duke thënë se, në vend se të kërkohet anulimi i vendimit kundër Thaçit, “shumë më e dobishme do të ishte nëse dikush do të interesohej në zbardhjen e fatit të mijëra personave të zhdukur në Kosovë, dhe për përgjegjësit e dëbimit të 250,000 serbëve dhe djegies së dhjetëra mijëra shtëpive, e të cilët ndoshta edhe sot janë duke kryer funksione të rëndësishme në Prishtinë”.

Gjuriq tha në fund se “komentimi i vendimeve të gjykatave nuk është në dorën e politikanëve – veçanërisht të atyre që nuk kanë qenë dëshmitarë të luftës në Kosovë më 1999”.