Ligji për përfaqësim të drejtë për mekanizëm të përcaktimit të etnitetit të të punësuarve do të ketë gjuhën në letërnjoftimin e aplikuesit.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, tha se gjuha amtare do të jetë kyçe për përcaktim të etnitetit ku edhe do të bëhen punësimet në të ardhmen në bazë të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Edhe kjo tash nuk është zgjidhje ligjore, por është ligj i posaçëm për përfaqësim adekuat dhe është futur letërnjoftimi dhe dokumentet tjera personale për përcaktimin e përkatësisë etnike, pa e deklaruar fare shihet qartë se cilës përkatësi etnike i takon”, tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, Arben Fetai tha se përcaktimi i targeteve në kuadër të metodologjisë së re për përfaqësim të drejtë do të bazohet në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë. Fetai tha se në ligjin e ri nuk përcaktohet nëse bëhet fjalë për popullsi rezidente apo jo rezidente, në këtë propozim ligj do të llogaritet numri i përgjithshëm i popullsisë.
“Për sa i përket çështjes së popullsisë rezidente dhe jo rezidente, dua të kujtoj që kategoritë e tilla u krijuan përmes metodologjisë për regjistrimin e popullsisë, ato nuk figuronin në ligj. Në lidhje me atë pjesë ka po ashtu lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe duhet të shohim epilogun e kësaj lënde. Përgjegjësia do të jetë në kuadër të trupit koordinues, i cili së bashku me Agjencinë e Administratës do të sjell edhe metodologjinë e re”, u shpreh Arben Fetai – zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Për zbatimin e këtij ligji paralajmërohet të formohet një trup koordinues në nivel politik, i cili kryesohet nga një zv/kryeministër, me pjesëmarrje të Ministrit të Administratës publike, Ministrit të Financave, dhe Agjencisë së Administratës, të cilët pritet të konkretizohet përmbajtja e metodologjisë.
Ky ligj vjen pas shfuqizimit të mekanizmit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese. Zëvendëskryeministri Mexhiti apeloi opozitës që të jetë konstruktive dhe të mbështesë punët që janë në të mirë të qytetarëve dhe që, siç shtoi, janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
