Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:20, në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.
“Rreth orës 20:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Qamil Hoxha’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit”, ka njoftuar Ahmeti.
Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
Të dyshuarit për këtë rast janë identifikuar dhe Policia është në kërkim të tyre.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë./21Media