Gjorgjievski premton investime kapitale në komuna, Shukova thotë se kryeqyteti është në gjendje katastrofale për shkak të Arsovskës

TË FUNDIT

Në ditën e dytë të tribunës së VMRO-DPMNE-së kushtuar 4 viteve të punës së kryetarëve të komunave nga radhët e tyre, fjalim pati edhe kryetari i BNJVL-së dhe kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili foli për investimin e 600 milionë eurove që janë pjesë e kredisë hungareze dhe të destinuara për projekte në komuna.

“Përveç që nuk ka ndarje të komunave, për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë po e zhvillojmë në mënyrë të barabartë tërë shtetin. 1.200 projekte janë një numër serioz i investimeve kapitale. Është mirë që, ndryshe nga e kaluara, nuk lihet hapësirë për të keqpërdorur mjetet nga shteti, por ato përfundojnë në llogari të dedikuara për projekte kapitale dhe mendoj se ky është projekti që i ka munguar për rreth 30 vite Republikës së Maqedonisë”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i BNJVL-së.

Edhe në LSDM vazhduan me serinë e deklaratave në të cilat kritikohet puna e kryetarëve aktualë të komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Kaja Shukova, nënkryetare e LSDM-së dhe kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit, fillimisht akuzoi se kryeqyteti është në gjendje katastrofale për shkak të kryetares aktuale Danella Arsovska, e cila u zgjodh me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.

“Në vend që të menaxhonin me përgjegjësi, ata e sakrifikuan Shkupin për t’u përballur me kryetaren që fillimisht e përkrahën, e më pas e refuzuan. Sot çdo bulevard, çdo rrugë, çdo lagje dëshmon për dështimin e tyre. Dhe këtë ne, shkupjanët, nuk do ta lejojmë përsëri. Të gjithë e dimë se çfarë përjetoi qyteti: transport publik tërësisht të shkatërruar, mbeturina kudo dhe pa sistem pastrimi, kontejnerë të mbushur plot. Rënia kulturore pa fund dhe shkatërrimi i të gjithë shpirtit urban të qytetit është rezultat vetëm i VMRO-DPMNE-së – i askujt tjetër”, u shpreh Kaja Shukova, nënkryetare E LSDM-së.

Panel debati i VMRO-DPMNE-së dhe seria e deklaratave të LSDM-së po mbahen në prag të fushatës për zgjedhjet lokale që janë caktuar për 19 tetor.