Gjorgjievski: Plani për Shkupin bazohet në 7 shtylla të përgatitura nga ekspertë! Shkukova thotë se ka zgjidhje për Vardarishten, Zejdi premton zgjidhje të problemit me transportin publik

TË FUNDIT

Kandidati për kryetar të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski, në mitingun e parë i prezantoi shtatë shtyllat e programit të tij, të cilat i quajti themele për të ardhmen e qytetit. Ai tha se të gjitha shtyllat janë pjesë e strategjisë për një Shkup modern dhe të sigurt.

“Programi ynë për Shkupin është ndërtuar mbi shtatë shtylla, themele për të ardhmen e qytetit. Shtylla e parë është zhvillimi i qëndrueshëm urban. Shkupi duhet të ketë një vizion afatgjatë dhe jo plane nga sot për nesër. Do të përpunojmë vizionin Shkup 2025-2045, dokument strategjik 20-vjeçar i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe tanët”, tha Gjeorgjievski.

Kandidatja për Qytetin e Shkupit nga radhët e LSDM-së, Kaja Shukova, thotë se ka plan për problemin me Vardarishten. Sipas saj, duhet të mbyllet si deponi e egër dhe të marrë një zgjidhje të qëndrueshme. Ajo gjithashtu paralajmëroi se ka plan se si Shkupi duhet të jetë pa deponi të egra.

“Ekziston mënyrë se si të menaxhohet Vardarishtja, është vendosur në programin tim. Plani im është Shkupi pa deponi të egra dhe më në fund ka ardhur koha që mbeturinat t’i trajtojmë si resurs. Kjo do të thotë se ajo që do të mbledhim nga koshat dhe kontejnerët në nivel të qytetit të Shkupit, që i mbledh Higjiena Komunale, këtu do të shpërndahet shtesë dhe do të selektohet”, theksoi Shukova.

Kandidati i AKI-së për kryetar në Qytetin e Shkupit, Skender Rexhepi-Zejdi, prezantoi programin me të cilin synon që brenda 4 viteve qytetarët do të mund ta shohin Shkupin të digjitalizuar dhe të gjelbër. Ai premtoi se çdo qytetar do të ketë qasje në kohë reale në buxhetin e Qytetit për të kontrolluar se ku shkojnë mjetet financiare. Zejdi po ashtu tha se do e zgjidh edhe problemin me transportin publik.

“Sa i përket transportit publik është në kaos real ky transport, por megjithatë synojmë që brenda 4 viteve të krijojmë efikasitet duke siguruar linja autobusësh të reja, duke siguruar mënyrë efikase të digjitalizuar të kontrollimit të autobusëve, por para së gjithash duke siguruar mbi 100 autobusë elektrik të cilët do të jenë në shërbim të këtij transporti dhe duke subvencionuar të gjithë transportuesit privat me autobus elektrik, edhe kompanitë e taksive privat që të krijojmë edhe mundësi reale për të qenë edhe ata konkurrent”, tha Zejdi.