Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski në Fejsbuk kumtoi se sot e nënshkroi vendimin për furnizim publik për ndërtimin e fazës së parë të rrugës së parë nëntokësore në Shkup – bulevardin “Maqedonia”, në shtrirje nga nën “Limak”-u deri në hyrje të Kisella Vodës.
“Pas përfundimit të procedurës ligjore, do të fillojmë punën menjëherë! Ky është projekt që përfaqëson një pikë kthese të vërtetë për zonën qendrore të qytetit, një investim kapital që do të lehtësojë trafikun dhe do të sjellë dinamikë të re në zemër të qytetit. Kjo do të pasohet nga fazat e ardhshme për ndërtimin e një rrethrrotullimi te ‘Nova Makedonija’ dhe dy rrethrrotullimeve në segmentin pranë bulevardit ‘Koço Racin’ dhe rrugës ‘Zheleznichka’, të cilat do të mundësojnë rrjedhë më të sigurt dhe më të shpejtë, me zgjidhje inteligjente dhe moderne në përputhje me standardet evropiane”, shkroi Gjorgjievski.
Me vënien në funksion të rrugës nëntokësore nën “Limak”, siç thekson Gjorgjievski, Shkupi do të marrë mrekullinë e parë të trafikut nëntokësor, diçka që nuk ka qenë karakteristikë e qytetit tonë deri më tani.
“Rruga do të ketë gjashtë korsi – katër për trafik automjetesh në dy drejtime, dy për transport publik dhe shtigje shtesë për këmbësorë. Kjo do të thotë që trafiku do të rrjedhë pa probleme, dhe qendra e qytetit do të jetë e lirë nga mbingarkesa, duke u bërë një hapësirë shumë më e rehatshme, më e sigurt dhe më e rregullt për të gjithë. Ky është një nga projektet më domethënëse për mua – simbol i epokës së re për Shkupin! Ringjallja e Shkupit – fillon!”, shkroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski.
