Gjorgjievski në takim me Azeskin, Qyteti i Shkupit të zhvillohet me një qendër të fortë ekonomike

TË FUNDIT

Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, theksoi se duhet të eliminohen ndarjet në kompetencat e qytetit, veçanërisht në fushën e urbanizmit, dhe të ndahen lokacione të veçanta për zhvillimin e biznesit në Shkup. Ai dha edhe disa propozime për zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

“Të shihen mundësitë optimale të Shkupit për zhvillimin e mëtejshëm, sepse nëse vazhdojmë kështu me zgjerimin e qytetit, praktikisht do ta sjellim gjithë Maqedoninë këtu – sidomos nga aspekti i biznesit. Që në takimin e parë me z. Gjorgjievski folëm për një zgjidhje që përgjatë bregut të Vardarit të ndërtohet një lloj linje hekurudhore, për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve”, tha Azeski.

Nga ana tjetër, Gjorgjievski theksoi se është e nevojshme që Shkupi të ndërtohet si qytet ekonomikisht i qëndrueshëm dhe se do të ketë bashkëpunim të ngushtë me sektorin e biznesit.

“Prioriteti im është të krijojmë një Shkup të fortë dhe ekonomikisht të qëndrueshëm, që ecën përpara – Shkup në të cilin do të identifikohen potencialet jo për 2, 3 apo 5 vjet, por për shumë më gjatë. Është shumë e rëndësishme të kemi një strategji ekonomike për zhvillimin e kryeqytetit tonë, të kemi një ekonomi të fortë, por edhe vende të reja pune të mirëpaguara në qytetin e Shkupit”, tha Gjorgjievski.

Gjorgjievski foli edhe për ndërtimet pa leje në Shkup, për të cilat tha se kërkojnë përballje institucionale. Ai theksoi gjithashtu se planet urbanistike të detajuara dhe të përgjithshme duhet të jenë më të qasshme për qytetarët, në mënyrë që të dinë çfarë do të ndërtohet.