Inspektorati i Tregut paralajmëron se do të pasojnë gjoba të mëdha për tregtarët që nuk do t’i ulin çmimet e produkteve bazë. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë për uljen dhe ngrirjen e çmimeve të bulmetit dhe pastave, më saktë nga 16 marsi, inspektorët do të dalin në terren dhe do të veprojnë. Gjobat për mosbindje ndaj vendimeve janë prej 800 deri në 10 mijë euro, varësisht nga madhësia dhe lloji i operatorit ekonomik.
“Vendimet janë marrë në interes të qytetarëve dhe nevojave të tyre dhe do të hyjnë në fuqi më 16 mars 2023. Kjo është kohë e mjaftueshme që tregtarët të rregullojnë çmimet. Apelojmë që të respektohen vendimet, sepse në të kundërtën pa përzgjedhje do të pasojnë gjoba, të cilat sipas Ligjit të Tregtisë janë jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu apelojmë që nëse qytetarët vërejnë ndonjë parregullsi në lidhje me çmimet e produkteve, të lajmërojnë menjëherë Inspektoratin Shtetëror të Tregut”, thonë nga Inspektorati i Tregut.
Zv/kryeministri për çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi ditë më parë në TV21 tha se ulja dhe ngrirja e çmimeve është kundërpërgjigje ndaj operatorëve ekonomikë që nuk kanë respektuar marrëveshjen xhentëllmene me qeverinë, të cilët edhe pse kanë marrë subvencione për energjinë elektrike nuk kanë ulur çmimet e produkteve bazë. Bytyqi tregoi se do të fokusohen edhe në produkte tjera bazë ku janë rritur çmimet në mënyrë artificiale dhe paralajmëron masa shtesë nëse tregtarët nuk i ulin vetë ç¬mimet.
“Dihet çfarë nënkupton mosrespektimi i marrëveshjes xhentëlmene. Nuk mund të kërkoni sjellje të mirë nga pala tjetër kur ju nuk e keni respektuar marrëveshjen, për këtë arsye ngrirja e çmimeve është kundërpërgjigje ndaj sjelljes së operatorëve ekonomik dhe do të vazhdojë për të gjitha produktet ku vlerësojmë se operatorët ekonomikë është dashur dhe duhet t’i zvogëlojnë çmimet, ndërsa këtë nuk e kanë bërë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministri për çështje Ekonomike.
Ndryshe prodhuesit e qumështit dhe produkteve nga qumështi brenda një jave duhet t’i ulin çmimet për 10 për qind, kurse ata të brumërave për 15 për qind. Kështu, makaronat nga 50 denarë do të ulen në 43 denarë, kurse qumështi nga 78 më 70 denarë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëroi ngrirjen e çmimeve edhe për produkte të tjera ushqimore, si vezët, sheqeri dhe orizi.
