Gjimnazi i Kumanovës ende pa zgjidhje, premtuan qeveritarët, tash premtojnë edhe opozitarët!

TË FUNDIT

Edhe ky vit shkollor përfundoi pa një zgjidhje për gjimnazin e Kumanovës “Sami Frashëri”. Rreth 800 nxënës çdo vit mësimin e vijojnë në këto kushte. TV21 vitin e kaluar, para fillimit te pandemisë e pat vizituar gjimnazin. Maturantët patën uruar që të paktën gjeneratave të reja t’u mundësohen ambient më i mirë mësimi. Një gjë të tillë e premtoi Arbër Ademi, ish-ministri i Arsimit nga radhët e BDI-së. Ai tha se gjimnazistët do të disperzohen në një godinë modern evropiane.

“Dislokimi i gjimnazit të Kumanovës në një objekt modern evropian është prioritet i MASH dhe se parashikohet që hapësira e objektit shkollor të adaptohet në kuadër të kazermës së qytetit aty ky është i vendosur Fakulteti i Administratës dhe Biznesit dhe shkolla e mesme ekonomike. Sigurisht që me të emëruar në këtë pozicion ne kemi nisur procedurat administrative, të cilat do të duhet të përmbushen nga çdo institucion arsimor, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Arsimit”, deklaroi ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi (03.02.2020).

Për gjendjen e shkollave të mesme ku mësojnë nxënësit shqiptarë si gjimnazi, shkolla teknike dhe ajo e mjekësisë u ankuan nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët. Përveç ankesave nga kjo parti japin edhe premtim se sapo të vijnë në pushtet do të ndërtojnë një shkollë të re.

“Të gjitha këto fakte çojnë drejt një konkluzion se këto parti që kanë qeverisur dhe qeverisin qoftë në nivel lokal apo në atë qendror, nxënësin shqiptar të Kumanovës e duan sa më pak të përgatitur dhe sa më pak të motivuar, gjithnjë duke ia humbur shpresën për të jetuar e vepruar në vendlindje. Por, këtë dukuri devijuese nuk do ta lejojmë ne. Aleanca për Shqiptarët publikisht premton se në momentin që do të jetë pjesë e pushtetit lokal apo qëndroi, prioritet i parë i marrëveshjes për qeverisje do të jetë pikërisht gjetja e zgjidhjes së këtij problemi dhe ndërtimi i një shkolle të re për gjimnazin shqiptar “Sami Frashëri””, tha Huzeir Mustafi nga ASH-ja.

Në vitin 2004 ky objekt dikur nga ish-kombinati bujqësor është shndërruar në shkollë dhe u gjet si zgjidhje e përkohshme për të strehuar nxënësit shqiptarë të cilët prej vitit 2001 ishin larguar nga gjimnazi “Goce Dellçev”. TV21 pyeti edhe në Ministrinë e Arsimit se deri ku është procedura për rregullimin e problemit të shkollës së mesme komunale “Sami Frashëri”, por prej atje deri në këtë moment nuk kemi përgjigje.