Gjermanja Helga Shmid favorite për sekretare të përgjithshme të OSBE-së

TË FUNDIT

Diplomatja gjermane Helga Shmid është favorite kryesore për sekretare të re të përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), deklaroi ambasadori amerikan në atë organizatë ndërkombëtare Xhejms Gilmor.

Helga Shmid (59) për momentin është sekretare e përgjithshme e Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme, e kryesuar nga përfaqësuesi i lartë Zhozep Borel.

Si negociatore e lartë diplomatike e BE-së, Shmid kishte rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, informon agjencia gjermane DPA.

Ambasadori Gilmor tha se Shmid është “e njohur mirë në botë dhe shumë e njohur në Uashington”.

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Kairat Abdrahmanov më së shumti përmendet si komisar i ardhshëm i lartë për pakicat kombëtare.

Kandidat që ka më shumë gjasa për pozitën përfaqësues i OSBE-së për liri të mediave është sekretari shtetëror për Politikë të Jashtme në Qeverinë e Portugalisë dhe ish drejtoresha e Instituti portugez për Komunikim dhe Media, Maria Tereza Ribeiro.

Katër përfaqësues udhëheqës të OSBE-së duhej të tërhiqeshin nga funksionet nga mesi i korrikut, sepse ata nuk ishin rizgjedhur, edhe pse rizgjedhja e tyre pritej të ishte formalitet i pastër.

Në përpjekje që ta përmbushin vakumin në strukturat udhëheqëse, anëtaret e OSBE-së u pajtuan me kërkesën e Rusisë që një nga funksionet kryesore në organizatë t’i takojë përfaqësuesit të një nga ish shteteve të BRSS.

Deri më tani, politikanët perëndimorë ishin zgjedhur në pozicionet udhëheqëse në OSBE, ndërsa Rusia dhe vendet e Azisë Qendrore tashmë një kohë të gjatë thonë se për shkak të kësaj baraspeshe, ata janë metë e raportit të padrejtë dhe kritikës së tepruar në sferën e të drejtave të njeriut.

Vendet perëndimore shpresojnë se pas koncesionit të Rusisë, OSBE si kthim do të marrë mbështetje të madhe nga presidenti rus Vladimir Putin që të vazhdojë të merret edhe me çështje të sundimit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, që shpesh herë haste në kundërshtime të Moskës.

Xhejms Gilmor theksoi se angazhimi diplomatik i OSBE-së në konfliktin në Nagarno Karabah “e tregoi rëndësinë dhe domethënien” e asaj organizate, e cila, siç tha, është “forumi i vetëm ekzistues në të cilin të gjithë janë të grumbulluar”.

Përfaqësuesit e anëtarëve të OSBE-së pritet që të arrijnë marrëveshje në këshillin e sivjetmë të ministrave më 3 dhe 4 dhjetor për zgjedhjen e disa pozicioneve më të rëndësishme në atë organizatë më të madhe rajonale, e cila përfshin 57 vende.

Nga korriku e deri më tani përfaqësuesit e vendeve anëtare nuk arritën marrëveshje për disa pozicione udhëheqëse në OSBE.