Ministri i shtetit pranë zyrës së kancelares, krisitiandemokrati Peter Altmaier ka kërkuar kritere më të forta për refugjatët nga vendet e Ballkanit.
Nuk është e mundur, që tek ne të vijnë njerëz nga vende, të cilat nuk janë as diktaturë dhe as nuk ka luftë, nga vende që madje po përgatitet për anëtarësim në BE“, tha Altmaier për gazetën „Bild“.
Federata po punon në një koncept praktik, „se si mund ta përballojmë së bashku valën e refugjatëve dhe ta kufizojmë atë“. Sipas tij, duhet të shqyrtohet që edhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova të klasifikohen si vende të sigurta origjine.
Qëllimi është një koncept i ri për refugjatët në mënyrë që njerëzit, kërkesa e të cilëve për azil nuk ka asnjë shans, të mos e marrin këtë rrugë“, tha ministri i shtetit në zyrën e kancelares. Me një koncept të tillë, sipas tij, këtyre njerëzve mund t’u kursehet mundimi e vuajtja dhe kësisoj mund të kujdesemi më shumë „për ata njerëz nga vende krizash, të cilët vërtetë e kanë jetën në rrezik“.
Ai u shpreh gjithashtu për një luftë më të ashpër kundër kontrabandistëve.
„Ne duhet t’ua bllokojmë aktivitetin atyre, që i nxisin njerëzit të marrin rrugën nëpër Afrikë e më pas duke i vënë në rrezik jete përmes detit Mesdhe“, tha Altmaier.
Edhe kryeministrja socialdemokrate e landit Rheinland-Pfalz, Malu Dreyer në debati për refugjatët është shprehur për shtimin e numrit të vendeve të sigurta të origjinës.
