Gjermania jugore është “paralizuar” nga bora dhe akulli

TË FUNDIT

Reshjet e rrëmbyeshme të borës gjatë natës dhe moti i ftohtë i paralizuan lidhjet ajrore dhe hekurudhore në krahinën jugore gjermane, Bavari, duke lënë mijëra udhëtarë të bllokuar, disa prej tyre në trena të ndalur për shkak të motit të lig, transmeton DPA.

Edhe pjesët e tjera të vendit janë kapluar nga bora dhe akulli, ndërsa përkeqësim shtesë të kushteve të motit priten të shtunën në mbrëmje.

Për shkak të borës, ka ngecur edhe komunikacioni ajror në aeroportin e Munihut. Deri më sot në mëngjes u anuluan 320 nga 760 fluturime të caktuara. Udhëtarët rekomandohen ta kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre para se të arrijnë në aeroport.

Moti i lig i çrregulloi edhe shërbimet hekurudhore në Bavari, ndërsa stacioni kryesor hekurudhor në Munih përkohësisht ishte jashtë funksionit.

Përkohësisht u suspenduan lidhjet hekurudhore drejt qyteteve të tjera gjermane, por edhe drejt qyteteve austriake, Salcburg dhe Insbruk. Disa udhëtarë në Munih dhe Ulm duhej ta kalonin natën në trena.

Hekurudha gjermane u rekomandoi udhëtarëve sot t’i shtyjnë fluturimet deri dhe nga Munihu.

Policia i bëri thirrje popullatës të qëndrojë në shtëpi përderisa shërbimet urgjente dhe shërbimet për pastrim të borës po punojnë në kthimin e jetës normale.

Hekurudha nëntokësore, autobusët dhe tramvajet, gjithashtu, fillimisht ndaluan së qarkulluari në kryeqytetin e Bavarisë. Janë regjistruar fatkeqësi të shumta rrugore, prej të cilave sipas policisë shumica janë me dëme materiale.

Për shkak të motit të lig, është shtyrë ndeshja e futbollit në Bundesligë mes Bajern Munihut dhe Union Berlinit.

Shërbimi meteorologjik gjerman pret që kushtet e pavolitshme të motit të vazhdojnë, dhe nga jugu i Gjermanisë të zgjerohen në veri. ndërsa temperatura të zbresë deri -15 gradë.

Në disa pjesë të krahinës fqinje Baden-Virtemberg gjatë natës shtresa e borës arriti deri 40 centimetra, për ç’shkak shumë drunj janë rrëzuar, ndërsa ka edhe rrugë të bllokuara.

Sipas policisë, një shofer 54-vjeçar e humbi jetën kur automjeti i tij u përmbys dhe u ndesh me një furgon, mbrëmë në qytetin Emingen-Liptingen. Shoferi i furgonit nuk është lënduar.

Në veri të vendit, Hamburgu njoftoi për borë prej disa centimetrave, ndërsa priten reshje të rrëmbyeshme të borës në brigjet e Detit Verior dhe Baltik, si dhe në brendësi.