Përfaqësuesit e qeverive federale dhe provinciale të Gjermanisë dje ranë dakord t’i vazhdojnë masat për mbyllje deri më 28 mars me shumë mundësi për hapje në varësi të situatës epidemiologjike.
“Ne duhet të ndërmarrim hapa, por këto duhet të jenë hapa që nuk do të na kthejnë mbrapa,” tha kancelarja gjermane, Angela Merkel mbrëmë vonë pas takimit me kryeministrat federalë.
Merkel theksoi se Gjermania “jo me pakujdesi, por me shpresë” po hyn në një fazë të re në luftën kundër pandemisë.
“Viti 2021 nuk do të jetë si viti 2020, tani jemi shumë më larg. Tani kemi vaksina dhe teste. Vaksina është një rrugëdalje nga pandemia”, tha Merkel.
Kancelarja gjermane shpjegoi se vaksinimi dhe testimi janë në plan të parë në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Ajo, gjithashtu, paralajmëroi fleksibilitet më të madh gjatë vaksinimit me listat e pritjes, në mënyrë që sa më pak data të vaksinimit të mbeten të papërdorura, si dhe vaksinat te mjekët amë.
Strategjia për ta luftuar pandeminë nuk bazohet vetëm në vaksinimin e përshpejtuar, por edhe në testimin masiv.
“Nga java tjetër, çdo qytetar gjerman do të ketë nga një test falas në javë,” tha Merkel.
Kancelarja gjermane gjithashtu paralajmëroi hapa për hapje graduale që do të varet nga incidenca shtatë ditore.
Nga 8 marsi, në Gjermani lehtësohen masat për kufizimin e kontakteve private. Kështu, në të ardhmen, njerëzit nga një familje do të mund të takohen me pesë persona nga një familje tjetër. Deri më tani është lejuar takim me vetëm një person nga një familje tjetër.
Në rajonet me incidencë shtatë ditore nën moshën 35 vjeç, përkatësisht nëse numri i rasteve të reja për 100.000 banorë në shtatë ditë është më pak se 35, do të lejohet takim me persona nga dy familje shtesë me maksimum prej dhjetë personash.
Dyqanet mund t’i hapin dyert e tyre për klientët në rast të incidencës nën 50. Në rast të incidencës mbi 50, mundësohet blerje përmes internetit me mundësinë e marrjes së mallit në vetë dyqanin.
Tarracat e restoranteve dhe kafeneve do të mund të pranojnë mysafirë në rast të incidencës nën 50 për 14 ditë.
Në varësi të incidencës, gjithashtu, do të lejohet puna e kopshteve zoologjike dhe kopshteve botanike, muzeve, galerive dhe zonave përkujtimore.
Pavarësisht nga incidenca, nga 8 marsi, lejohet puna e luleshitësve, dyqane kopshtesh dhe librarive. Nga 8 marsi, do të mund të punojnë edhe pedikyrët, si dhe shkollat për vozitje dhe fluturim.
Në të gjitha masat për hapje që varen nga incidenca, është vendosur i ashtuquajturi “frenim për raste urgjente” që mundëson kthim të masave për mbyllje në rast të një incidence më të madhe se 100.
Rregulli i punës nga shtëpia ku është e mundur është vazhduar deri në fund të prillit.
Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder, tha se këto janë “masa të komplikuara, por masa që nuk lënë hapësirë për interpretim”.
Për masa të mëtejshme, përfaqësuesit e qeverive federale dhe provinciale përsëri do të diskutojnë më 22 mars.
