Gjermania po harton një plan të zgjeruar lidhur me rrjetin e saj të bunkerëve, mes frikës se një sulm rus mund të ndodhë brenda katër viteve të ardhshme, tha zyrtari më i lartë i qeverisë për mbrojtjen civile.
Kreu i Zyrës Federale të Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës në Fatkeqësi (BBK),Ralph Tiesler, tha se ekonomia më e madhe e Evropës duhej të zgjohej ndaj realitetit të konfliktit dhe se në gjendjen e saj aktuale Gjermania nuk ishte e përgatitur në mënyrë të mjaftueshme.
“Për një kohë të gjatë, në Gjermani ekzistonte një bindje e përhapur se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një lufte të madhe agresioni në Evropë”, i tha ai gazetës Süddeutsche Zeitung.
Tiesler bëri thirrje për një përpjekje kombëtare për të përcaktuar dhe shndërruar tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore, parqet e makinave dhe bodrumet e ndërtesave publike në strehimore mbrojtëse për të “krijuar shpejt hapësirë për 1 milion njerëz”.
Ai tha se agjencia e tij do të paraqesë një plan gjithëpërfshirës më vonë këtë verë.
Mw tej ai shtoi se vendi ishte në një garë me kohën dhe mbështetja në ndërtimin e objekteve të reja bunkerësh ishte e pamjaftueshme.
Strehime të tilla do të kërkonin shumë kohë për t’u planifikuar dhe ndërtuar dhe do të ishin shumë të kushtueshme, tha Tiesler.
Si rezultat, strukturat ekzistuese duheshin shqyrtuar nga afër më menjëherë.
Nga rreth 2,000 bunkerë në Gjermani dhe dhoma mbrojtjeje të mbetura nga lufta e ftohtë, vetëm rreth 580 janë në gjendje pune dhe shumica kanë nevojë për rikonstruksione multimilionëshe.
Ato do të strehonin rreth 480,000 njerëz, vetëm gjysmë përqind e popullsisë gjermane. Në krahasim, BBK tha se Finlanda ka 50,000 dhoma mbrojtjeje, që përbëjnë hapësirë për 4.8 milionë njerëz, ose 85% të popullsisë së saj.
Tiesler tha se duhen bërë përpjekje edhe për përmirësimin e sistemeve të informacionit, siç janë aplikacionet dhe sinjalistika rrugore, për t’i treguar publikut saktësisht se ku mund të kërkojnë strehim, si dhe për përmirësimin e sirenave paralajmëruese.
Ai tha se edhe aplikacionet ekzistuese të paralajmërimit duhen mbrojtur më mirë nga hakerat.
Ai i kërkoi qeverisë së Friedrich Merz të siguronte që fondet të ishin në dispozicion për të zbatuar planet e agjencisë së tij. Ajo ka rënë dakord që planet janë të nevojshme, por ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht fondet.
Paratë pritet të vihen në dispozicion nga miliardat e lëshuara pasi parlamenti pezulloi frenimin e borxhit të Gjermanisë në mars, duke lejuar që sasi të mëdha shpenzimesh të kryhen në ushtri, infrastrukturë jetësore – të tilla si urat dhe rrugët që i mundësojnë atyre të transportojnë tanke dhe furnizime – dhe mbrojtjen civile.
Ai bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një shërbimi të detyrueshëm ose vullnetar të mbrojtjes civile dhe u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë në bërjen e vendit më të qëndrueshëm duke u furnizuar me furnizime emergjente në rast të mungesës së energjisë dhe ujit. “Apeli ynë është: grumbulloni furnizime të mjaftueshme për t’ju mjaftuar 10 ditë, nëse është e mundur”, i tha ai gazetës, duke reflektuar thirrje të ngjashme nga qeveritë e tjera evropiane.
