Infeksioni i Covid-19 e ka rritur mbi 50 mijë bilancin e jetëve të humbura në Gjermani.
Rekordi tragjik u shënua të premten me 859 viktima të reja, duke konfirmuar frikën e autoriteteve se festimet e fundvitit të kaluar do i jepnin efektet pas disa javësh.
“Janë shumë njerëz, janë javë jashtëzakonisht të errëta për vendin. Janë shumë që ende luftojnë për mbijetesë në dhomat e reanimacionit dhe në klinikat për të moshuarit“, deklaroi presidenti gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer.
Gjermania e ka shtyrë deri më 14 shkurt periudhën e izolimit kombëtar nga Covidi dhe po diskuton mbylljen e kufijve me fqinjët për të penguar depërtimin e mutacioneve të reja dhe më ngjitëse të koronavirusit.
“Udhëtimet e panevojshme brenda dhe midis kufijve duhen shmangur. Megjithatë, ka rëndësi absolute funksionimi i tregut unik, qarkullimi i punëtorëve, i mallrave.”
Si masë shtesë, disa shtete pritet të ndalojnë mbajtjen e maskave artizanale prej cope pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha ditë më parë se nuk mbrojnë sa duhet.
“Duhet mbajtur maska mjekësore, maska kirurgjikale ose ato të kategorisë FFP2.”
Bota vazhdon të raportojë përditë mijëra vdekje nga sëmundja e rëndë.
Virusi shkurtoi 4 mijë jetë të tjera në Amerikë në 24 orë, ndërsa presidenti i ri, Xho Bajden, zyrtarizoi planin e qeverisë së tij për t’i dhënë fund krizës.
“Plani ynë nis me fushatën agresive për të përmbushur objektivin e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditë. Do përpiqemi sikur të ishim në luftë, sepse kemi mbi 400 mijë amerikanë të vdekur, që janë më shumë sesa në Luftën e Dytë Botërore.”
Kompania amerikane, “Pfizer” dhe ajo gjermane, “BioNTech” u raportua të premten se do të nisin të furnizojnë me vaksinat e tyre antikovid programin “COVAX” të OBSH-së.
“COVAX” do të shpërndajë rreth 2 miliard doza në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për të vaksinuar edhe mbi 20 për qind të popullsisë në Shqipëri./oranews