Policia gjermane sot kumtoi se mbi njëqind persona janë arrestuar në protestat kundër masave restriktive të vendosura që të pengohet përhapja e koronavirusit të ri, pasi disa prej mitingjeve që u mbajtën dje kaluan në dhunë.
Policia e Berlinit kumtoi se 86 persona janë arrestuar pasi janë hedhur shishe drejt nëpunësve policorë gjatë protestave në Aleksandarplac, shesh i madh qendror në Berlinin lindor. Një polic është plagosur ndërsa një tjetër është lënduar në një incident tjetër para ndërtesës së Rajhstagut, gjatë së cilit janë arrestuar 45 persona.
Në qytetin perëndimor gjerman Dortmund, policia kumtoi se një burrë e ka sulmuar një ekip televiziv gjatë protestës, sulmi i tretë i këtij lloji në Gjermani për dy javë. Është kumtuar se sulmuesi 23 vjeçar është arrestuar.
Policia e Këlnit shprehu mospajtim që disa demonstrues i kanë detyruar blerësit t’i heqin maskat e tyre mbrojtëse gjatë hyrjes në dyqane.
Edhe krahas lehtësimit gradual të masave restriktive gjatë disa javëve të fundit, protestat kundër tyre shpërthyen përnjëherë, ku shumicë janë grupet djathtiste ekstreme dhe njerëz të cilët besojnë se koronavirusi është i parrezikshëm ose është pjesë e një komploti global./MIA
