Gjermani, arrestime për kontrabandë me refugjatë

TË FUNDIT

Të martën, policia gjermane kontrolloi disa objekte në të gjithë Gjermaninë dhe arrestoi gjashtë të dyshuar për kontrabandën e të paktën 150 refugjatëve në Gjermani.

“Gjatë ditës kontrolluam më shumë se 20 objekte në të gjithë Gjermaninë dhe ndaluam gjashtë persona që dyshohen se transportonin ilegalisht refugjatë drejt Gjermanisë, pjesërisht në rrethana të rrezikshme”, njoftoi policia për zonën e Hesenit të Veriut, e cila koordinoi aksionin.

Sipas policisë, hetimi i cili ka vazhduar prej një viti ka dalë në përfundimin se të dyshuarit transportonin refugjatë, kryesisht nga Siria, me kamionë të marrë me qira nga territori i Bjellorusisë, Polonisë dhe Austrisë.

Për këtë shërbim, refugjatëve u kërkoheshin nga 600 deri në 2000 euro. Në total, “të paktën 150” refugjatë u transferuan në territorin e Gjermanisë.

Të dyshuarit janë shtetas të Sirisë, Iranit dhe Irakut. Disa refugjatë janë strehuar përkohësisht në të ashtuquajturat “shtëpi të sigurta” në zonën e Hesenit verior dhe prej andej do të transferoheshin në destinacionet e tyre përfundimtare në Francë, Belgjikë apo Holandë.

Dy të dyshuar akuzohen edhe për kontrabandë të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.