Gjendja e jashtëzakonshme vazhdohet edhe 30 ditë, Spasovski, Filipçe dhe Osmani nuk morën pjesë në Këshillin e Sigurisë

TË FUNDIT

Shefi i shtetit, Stevo Pendarovski shpalli 30 ditë shtesë për gjendjen e jashtëzakonshme. Këtë vendim e solli në seancën e Këshillit të Sigurisë, por kësaj here me përbërje të shkurtuar. Sipas tij, vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme është mënyra e vetme për ta parandaluar koronavirusin. Sa i takon dilemës nëse ka mundësi kushtetuese që të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se Kushtetuta parasheh që Kuvendi ta konfirmojë vendimin, Pendarovski tha se pavarësisht kësaj, nuk do të hetizojë.

Stevo Pendarovski, President i RMV-së:
-Është e qartë se kushtetutëbërësi nuk ka parashikuar gjendje të tillë – Kuvendi të mos punojë dhe të mos ketë mundësi ta aprovojë vendimin tim të parë për gjendje të jashtëzakonshme. Në një situatë kur deputetët marrin rrogë, e askush prej tyre nuk ka kërkuar apanazh i cili u takon pas skadimit të mandatit, do të thotë se mandati i tyre ende vlen, kurse Kuvendi nuk punon. Unë e marr përsipër përgjegjësinë për sjelljen e një vendimi të tillë, sepse kemi një situatë pa precedent.

Është shumë më e rëndësishme që të mbrohet shëndeti dhe jeta e qytetarëve sesa të bëjmë interpretime juridike, tha Pendarovski. Ai tha se bazën e sheh në atë se Qeveria ka dorëzuar propozim të ri dhe prandaj vendimi nuk ka të bëjë me vazhdimin e masës, por tha se ky do të jetë vendim i ri për gjendje të jashtëzakonshme prej 30 ditëve.

Stevo Pendarovski, President i RMV-së:
-Me mbi 80 orë ndalesë për lëvizje në të gjithë territorin. Siç është parashikuar për festën, ne për momentin jemi në grup të vendeve me masa më rigoroze në Evropë. Jo vetëm mua, besoj se shumicës së qytetarëve u është e qartë se cila është logjika dhe arsyetimi për vendosjen e kësaj mase.

Seanca e Këshillit për siguri u mbajt pa prezencë të Kryeministrit teknik Oliver Spasovski, ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zv/kryeministrit Bujar Osmani. Siç dihet, ata tashmë janë në izolim pasi dje ishin në Kumanovë në takim me kryetarin Maksim Dimitrievski, i cili sot doli pozitiv në testin për Kovid-19.