Senati italian, me kërkesë të kryeministrit Gjuzepe Konte, ka marrë vendim për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 15 tetor.
Konte më parë i kishte kërkuar Parlamentit të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme në vend deri në fund të tetorit, gjë që do t’i lejonte atij të qeveriste me dekrete, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga partitë opozitare.
Qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në fund të janarit për të lejuar ministrat të merren me krizën e koronavirusit.
Ky vendim ishte i vlefshëm për gjashtë muaj dhe skadon në fund të korrikut.
“Virusi vazhdon të zhvillohet dhe nuk është zhdukur. Do të ishte e pakuptueshme të pezullohej papritur një masë e tillë efektive”, tha Konte në dhomën e sipërme të Senatit.
Sidoqoftë, ai hoqi dorë nga kërkesa për vazhdim deri në fund të vitit, duke thënë se dëshironte vetëm një rinovim deri në tetor.
Gjendja e jashtëzakonshme u jep fuqi më të mëdha autoriteteve rajonale dhe qendrore, duke përfshirë edhe lehtësimin e ministrave për të shpallur zona të kuqe nëse sëmundja rishfaqet dhe t’i forcojnë resurset spitalore./MIA