Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas mbledhjes së sotme me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse deklaroi se sot dhe nesër duhet të bëhet analizë e hollësishme e pyetësorëve epidemiologjikë në secilën komunë dhe qytet, si dhe mbikëqyrje e saktë për mënyrën e transmisionit të virusit, ndërsa sipas kësaj të shqyrtohet se a duhet dhe nëse po – çfarë masa restriktive duhet të merren.
“Dëshirojmë të jenë të dimensionuara saktë dhe t’i rekomandojmë sipas këtyre të dhënave të cilat do t’i marrim. Kështu që, edhe sot edhe nesër dhe gjatë fundjavës do të punojmë dhe do të dalim me rekomandim adekuat”, potencoi Filipçe.
Ai, sa i përket numrit të lartë të sotëm të të sapoinfektuarve, në lajmet e televizionit Sitel, theksoi se numri është me të vërtetë i madh në krahasim me ditët e kaluara.
“Unë në fillim të muajit të kaluar paralajmërova se presim valë të vjeshtës, presim rritje të numrit të rasteve, paralajmërova edhe një pjesë të masave, megjithatë pas kësaj analize të këtyre numrave gjatë fundjavës do ta dimë saktë a do të ndërmarrim masa dhe cilat do t’i rekomandojmë në cilat komuna. Më lejoni të bëj thirrje edhe një herë – të gjithë qytetarët t’i respektojnë edhe më shumë tani, masat parandaluese për shkak se, ja, po hymë në një periudhë në të cilën do të rritet numri i të i infektuarve”, theksoi ministri i Shëndetësisë.
Në pyetjen se a mund të mbyllen shkollat nëse rritet numri i rasteve të reja, tha se plani për restrikcione përfshin mbylljen edhe të shkollave edhe të kopshteve.
“Njëjtë nëse situata epidemiologjike është e qëndrueshme gjatë muajit nëntor do të jenë të pranishëm fizikisht edhe grupe të tjera të nxënësve në klasa të tjera. Kështu që, për çdo ditë e ndjekim situatën, e shohim nëpër disa komuna, rajone dhe qytete. Masat mund të jenë edhe të targetuara, megjithatë e gjithë kjo varet nga ajo se si janë të dhënat epidemiologjike në lidhje me atë se si është transmisioni i virusit në disa pjesë të vendit”, u përgjigj ministri.
