Dikur dasmat shqiptare zgjasnin shtatë ditë. Dasma niste të martën kur shoshoheshin grunët, të mërkurën thollohej, të enjten viheshin unazat, te premtën therrej kau, të shtunën vinin lodrat, të dielën merrej nusja dhe të hënën përcilleshin dasmorët. Për dallim nga tani, stinë e preferuar e dasmave ishte vjeshta dhe pranvera, pasi edhe përfundonin punën e bujqësisë. Ditë të mbara konsideroheshin dita e hënë dhe dita e enjte.
Në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti për trashëgimi kulturore shqiptare në Shkup u trajtua tema e dasmave të trevave shqiptare. Profesor Izaim Murtezani e hapi konferencën duke folur për “Retorikën e pjellorisë” që lidhet me natën e pulës. Simbolika e natës së pulës dhe therrjes së tyre, Murtezani shpjegon se lidhet me përfundimin e beqarisë së vajzës dhe kalimin e statusit të saj në atë të nuses.
“Rrjedhimisht edhe rituali i kërkimit të pulave, përkatësisht segmeni i tij konkret që i dedikohet kohës së ekzekutimit pas mesnate, por edhe emitimi i qenieve demniake nga ana e vajzave nënkupton në aspektin simbolik ndërlidhjen me vdekjen apo më mirë thënë, me vdekjen e beqarisë së vajzës nuse”, theksoi Izaim Murtezani nga Instituti I Folklorit në Shkup.
Dikur nusja përcillej me kalë, nga përcjellësit, ku gjatë dorëzimit thuhej “Gjaku jonë, robi juaj”. Për elementet kanunore dhe etnoleksemat e dasmës, foli Bukurije Mustafa, nga instituti I trashëgimisë kulturore. Ajo shpjegoi kuptimin dhe etimologjinë e fjalëve si kulaçtare, çaushi, petkallarë, bajraktar, mësit, nishan, shekernic dhe fjalë të tjera që kanë të bëjnë me dasmën shqiptare.
“Çdo gjë fillon nga msiti, mesiti a shkuesi. Në pjesën më të madhe të të folmeve të shqipes përdoret për të shënuar njeriun I cili është ndërmjetës dhe zhvillon biseda mes dy familjeve. Zakonisht për të bindur familjn e vajzës, që t’i japin pajtueshmëri për të lidhur miqësi, apo krushqi me familjen e djalit. Për shkuesin në Kanun është paraparaë një palë këpucë, që duhet t’ia sigurojë ana e djalit, por sot peshqesh për mësitin është këmisha”, u shpreh Bukurije Mustafa nga ITSHKSH.
Profesorët e tjerë pjesmarrës në konferencë folën për këngët e dasmave në trevën e Kërçovës, modelet martesore në sferën sakrale dhe historike, veçorit e dasmës së fshatit Veshallë të Prilepit, Krushevës, krahinës së Hasit, Karadakut të Kumanovës, rajonit të Anamoravës, Gjilanit, Drenicës dhe Rahçes, duke përfunduar me aspektet ekonomike në dasmat bashkëkohore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Studiuesit thonë se ritet dhe ritualete dikurshme të dasmave nuk po praktikohen dhe se damsat shqiptare kanë kaluar tani në dasma që zgjasin vetëm 1 ditë. Ato thonë se janë harruar edhe këngët që ishin karakteristikë për secilin ritual dhe për çdo zonë. Qëllimi i kësaj konference është paraqitja e dasmave shqiptare dikur dhe sot dhe të konzervohen dasmat shqiptare.
Përgatiti: Almedina Ismajli
