Emrat e George dhe Amal Clooney janë shfaqur zyrtarisht në Journal Officiel të Francës, por jo për një premierë filmi. Çifti i famshëm dhe dy binjakët e tyre 8-vjeçarë janë bërë zyrtarisht shtetas francezë, një vendim ky që ka ndezur një debat të fortë brenda kabinetit qeveritar në Paris.
Qeveria franceze doli në mbrojtje të vendimit të mërkurën, duke argumentuar se familja Clooney kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme në “ndikimin ndërkombëtar dhe shtrirjen kulturore të Francës”. Sipas Ministrisë së Jashtme, ligji francez lejon natyralizimin e shpejtë për të huajt që sjellin përfitime ekonomike dhe prestigj për vendin.
Ndërsa industria e filmit pritet të përfitojë nga prania e fituesit të Oscar, Amal Clooney, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, vlerësohet për bashkëpunimin e saj të ngushtë me institucionet akademike në Francë.
Polemikat
Jo të gjithë janë të kënaqur. Marie-Pierre Vedrenne, ministre në Ministrinë e Brendshme, shprehu hapur dyshimet e saj, duke vënë në pikëpyetje drejtësinë e këtij procesi.
“Mesazhi që po dërgohet nuk është i mirë. Ekziston një çështje drejtësie që është absolutisht thelbësore,” deklaroi Vedrenne për France Info. Ajo ironizoi faktin se ndërsa mijëra njerëz presin vite për shtetësinë, ylli i Hollywood-it e mori atë pavarësisht se vetë e pranon se flet një frëngjisht “të tmerrshme”.

Arratia nga Hollywood-i drejt qetësisë provansale
Për familjen Clooney, ky kalim nuk është thjesht burokratik, por një zgjedhje jetese. Që prej vitit 2021, ata zotërojnë një pronë luksoze në Brignoles, në jug të Francës. Clooney ka shprehur shpesh dëshirën për t’i rritur fëmijët e tij, Ella dhe Alexander, larg presionit të paparacëve të Los Angeles-it.
“Nuk dua që ata të rriten në kulturën e Hollywood-it,” tha aktori 64-vjeçar në një intervistë të fundit. Sipas tij, në Francë fëmijët kanë një jetë më normale: “Ata hanë darkë me të rriturit dhe duhet të lajnë enët.”
“Georges” – tashmë francez
Pavarësisht kritikave, Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, i cili nënshkroi personalisht dekretin, e cilësoi këtë si një “shans të madh” për Francën. Në njoftimin zyrtar, qeveria madje “francezoi” emrin e aktorit duke e shkruar “Georges” me “s” në fund, si një mirëseardhje simbolike në komunitetin kombëtar.
Ligji francez i “meritës” (L’article 21-21) lejon shtetësinë pa periudhën e detyrueshme 5-vjeçare të qëndrimit për individët që ofrojnë shërbime të jashtëzakonshme për Francën.
