Gjurmë të gazit toksik fosfin janë gjetur në dhomën e një hoteli në Stamboll, ku një familje nga qyteti i Hamburgut në Gjermani u gjet e vdekur, dyshohet si pasojë e helmimit.
Agjencia Anadolu ka cituar një raport të mjekësisë ligjore, në të cilin thuhet se substanca është zbuluar në mostrat e marra nga dhoma si dhe në peshqirët e hotelit.
Fosfini prodhohet kur fosfidi i aluminit – një substancë që përdoret shpesh për zhdukjen e parazitëve – bie në kontakt me ujin ose edhe me lagështinë e ajrit. Ky gaz është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të jetë fatal nëse thithet.
Katër anëtarët e familjes humbën jetën gjatë pushimeve të tyre në Stamboll në mesin e nëntorit.
Sipas raportit paraprak të autopsisë, vdekja mund të jetë shkaktuar nga helmimi me kimikate të përdorura për luftimin e parazitëve në dhomën poshtë tyre. Edhe helmimi nga ushqimi është marrë parasysh si mundësi, por aktualisht konsiderohet shumë më pak i mundshëm.
