GASIFIKIMI I MATERNITETIT PAS ZGJEDHJEVE, KALDAJAT E GJINEKOLOGJISË NË ÇAIR NUK DO TË NDËRROHEN

TË FUNDIT

Tenderi i ri për gasifikimin e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair ende nuk është shpallur. Tenderi i cili u shpall para dy muajve, u anulua, sepse nuk arriti të sigurohet leje nga ana e Ministrisë së mjedisit jetësor. Nga ky spital për TV21 thonë se tenderi është ndryshuar. Nuk do të bëhet ndërtim i kaldajave të reja siç ishte paraparë, por vetëm do të rikonstruohen kaldajat që posedon spitali dhe do të punojnë me gas. Ndryshe spitali ka siguruar një rezervoar për ngrohje të ujit me kapacitet prej 2 mijë litrash, për periudhën kur do të zhvillohen punimet në kaldajat e spitalit.

“Në lidhje me projektin, të gjitha dokumentet e nevojshme janë sigururar. Ka pasur disa ndryshime në titullarin e projektit, kaldajat nuk do të ndërtohen nga fillimi, por vetëm do të bëhet sanimi ose rikonstruimi i tyre. Gjatë periudhës së rikonstruimit ujin e ngrohtë do ta sigurojmë nga një rezervoar për ngrohje me kapacitet prej 2 mijë litrave, që është donacion nga disa miq të spitalit. Presim nga Ministria e Shëndetësisë ta shpallë tenderin”, thonë nga Spitali I Specializuar për Obstretikë dhe Gjinekologji “Nënë Tereza”.

Nga Komuna e Çairit thonë se ingirencat e tenderit i takojnë Ministrisë së Shëndetësisë.

“Atë projekt e udhëheq Ministria e Shëndetësisë, ne kemi dhënë vetëm pëlqim si këshill komunal, pasiqë është kërkuar nga ne”, u shpreh Kryetari I Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Në pyetjen se kur përfundimisht do të shpallet tenderi për gasifikimin e Spitalit për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nënë Tereza”, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se tenderi do të publikohet menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale.

“Ai ende nuk është shpallur. Do ta publikojmë menjëherë pas zgjedhjeve”, potencoi Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe.

Sistemi me të cilin ngrohet spitali gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair është i vjetër rreth gjysmë shekulli. Ky spital kaldajat përveç se i përdor për ngrohje të ambienteve, me to ngroh edhe ujin, i cili është i domosdoshëm për gjinekologjinë, në të cilin për çdo vit lindin rreth 4 mijë foshnja ndërsa bëhen rreth 2 mijë ndërhyrje kirurgjike. Projekti i paraparë për gasifikim mendohet të kapë vlerën rreth 12 milion denarë.

Përgatiti: Almedina Ismajli