Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mori pjesë në Asamblenë e 67-të të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, e mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në fjalimin e tij në hapje të punimeve, Gashi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe lidhshmërisë ndërmjet vendeve të rajonit të Detit të Zi.
Ai e vlerësoi këtë hapësirë si një korridor të rëndësishëm për tregti, komunikim dhe zhvillim ekonomik. Kryetari i Kuvendit u ndal edhe te sfidat me të cilat përballet rajoni, duke theksuar se ato mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut, solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet shteteve.
Ai riafirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e cilësuar këtë si rrugë për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të vendit. Përveç pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme, Gashi po zhvillon edhe takime dypalëshe në Tbilisi, ku diskuton me përfaqësues të Parlamentit të Gjeorgjisë për thellimin e bashkëpunimit dhe çështjet e sigurisë rajonale.
