Gashi dhe Kasami tashmë janë takuar! Ibrahimi: BDI është bërë e dëmshme për interesin shqiptar

TË FUNDIT

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet që partitë opozitare shqiptare si Alternativa dhe Lëvizja Besa t’i bashkojnë forcat. Alternativa është e gatshme të lejë prapa hatërmbetjet me Lëvizjen Besa dhe bashkëpunim me ta, paralajmëron sekretari i kësaj partie, Zeqirja Ibrahimi. Në emisionin Click Plus në TV21, ai pohoi se krerët e partive Gashi dhe Kasami, janë takuar dhe kanë folur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.  

Të dy kryetarët e partive, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami, janë takuar dhe kanë folur a munden të bashkëpunojnë. Dhe në kohën kur shprehet vullnet, kjo është faza e parë ku mund të fillohet dhe të diskutohet si mund të bashkëpunohet. Në Kryesinë e Alternativës është mandatuar të flasë kryetari për çdo lloj të bashkëpunimit, qoftë në parlament, qoftë në këshillat nacionale, qoftë edhe për koalicion parazgjedhor”, tha Zeqirija Ibrahimi, sekretar i Alternativës.

Ibrahimi, partia e të cilit deri para tre muajsh ishte pjesë e pushtetit, kritikoi ashpër qeverinë, më saktë BDI-në. Tha se gjatë 20 vjet qeverisje të BDI-së, akoma është temë diskutim, uji, kanalizimet dhe dritat.

 “Ajo parti është bërë e dëmshme për interesin shqiptar në Maqedoni se duke qenë e tillë, duke mos bërë asnjë investim në zonat shqiptare, ajo i ka përjashtuar shqiptarët. Unë nuk dua të dyshoj se ky është një plan i elaboratëve serbe për shpërnguljen e shqiptarve, ama se shifrat janë shumë më tepër se në kohën e Pashiqir e Rankoviqit. Gjatë gjithë periudhës së Jugosllavisë nuk janë shpërngulur më shumë 200 mijë shqiptarë, gjatë periudhës së BDI-së janë shpërngulur më shumë se 300 mijë shqiptarë”, pohoi Zeqirija Ibrahimi, sekretar i Alternativës.

Analisti Sefer Selimi i zhgënjyer me opozitën shqiptare që “programin” e kanë antiBDI dhe jo me ide të reja më të mira. Ai kritikoi partitë opozitare që kur janë pjesë e koalicionit qeverisës nuk i shohin problemet me të cilat përballen qytetarët.

“Është simptomatike dhe është jashtëzakonisht dëshpëruese se si mundet të gjitha partitë tjera politike, duke filluar nga ASh, PDSh, Besa, për AAA, gjatë kohës kur janë në qeverisje me BDI-në gjithçka është Xhenet. Nuk kam dëgjuar unë gjatë kohës kur ke qenë pjesë e qeverisë të ngrehesh dhe të flasësh për këto shifra, këto probleme, këto sende, por vetëm në momentin që del jashtë qeverisë”, tha Sefer Selimi, analist politik.

Sekretari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi duke folur për situatën opozitare në vend, foli edhe për Grupin e zjarrit. Ai tha se Grupi i zjarrit ende nuk është definuar politikisht dhe në këtë pikë ku ndodhen është e vështirë të flitet për një bashkëpunim opozitar. Ibraimi tha se shkëputja e Grupit të zjarrit do të ishte e mirëseardhur, sepse në këtë mënyrë do të formohej një front opozitar që do të çonte BDI-në në opozitë. Ndërkaq për bashkëpunim me Grupin e zjarrit e gatshme është shprehur edhe Lëvizja Besa.