Garë midis pushtetit dhe opozitës se cili do të propozojë iniciativën për formimin e Komisionit Hetimor për Koçanin. Mëngjesin e sotëm, gjatë koordinimit tek kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, LSDM dhe Levica u njoftuan se iniciativa e tyre do të kthehet për përpunim, sepse nuk është në përputhje me Rregulloren. Konkretisht, ata kërkojnë që komisioni prej 15 anëtarësh të ketë 9 nga opozita dhe 6 nga pushteti.
“Në nenin 3 të iniciativës, përbërja e propozuar është 4 anëtarë nga LSDM, 4 nga BDI, 1 nga Levica, 3 nga VMRO-DPMNE, 2 nga VLEN, dhe 1 nga ZNAM. Sipas Rregullores, të gjitha trupat punues, përfshirë edhe komisionet hetimore, duhet të kenë përbërje proporcionale me përbërjen parlamentare të forcave. Kjo do të thotë që shumica në komision duhet të jetë nga pushteti, ndërsa kryetari zgjidhet nga radhët e opozitës. Duke qenë se ky rregull nuk është respektuar, iniciativa u kthye për përpunim”, tha Afrim Gashi – Kryetar I Kuvendit.
Në të njëjtën kohë, Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE informon se së bashku me VLEN dhe ZNAM kanë dorëzuar një iniciativë për Komision Hetimor. Përkundër propozimit të opozitës, në këtë iniciativë kërkohet që 10 anëtarë të jenë nga pushteti dhe 5 nga opozita; VMRO-DPMNE të ketë 7 anëtarë, LSDM 2, Fronti Evropian 2, VLEN 2, dhe nga 1 nga ZNAM dhe Levica. Përveç Kocanit, kjo iniciativë do të trajtojë edhe aksidentet e tjera si Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitali Modular në Tetovë. Ai tha se përfundimet do t’i dorëzojnë prokurorisë për të filluar procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së të gjithë të përfshirëve në aksidente.
“Kjo çështje nuk duhet të politizohet, por duhet të shtrihet për të gjitha tragjeditë, jo vetëm një, sepse gjatë periudhës së kaluar pamë se edhe personat e përfshirë në tragjeditë e mëparshme që janë përfshirë në vendime gjyqësore ose nuk i vuajnë dënimet me burg, ose viktimat dhe publiku ndjejnë se fajtorët e vërtetë nuk janë sjellë para drejtësisë. Prandaj do të përgatitim një raport dhe do ta dorëzojmë tek Qeveria dhe Prokuroria për veprim të mëtejshëm”, u shpreh Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Nga Fronti Evropian thonë se e pranojnë propozimin që të trajtohen të gjitha aksidentet deri më tani.
“Do të diskutojmë, por ne kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi për një iniciativë që do të përfshijë të gjitha aksidentet deri më tani”, tha Rina Ajdari, Fronti Evropian.
Për rastin e zjarrit në Koçan është nisur tashmë procesi gjyqësor, ndërsa të afërmit e viktimave vazhdimisht protestojnë duke kërkuar drejtësi dhe garanci se institucionet nuk do të lejojnë më kurrë tragjedi të tilla.
