Garazhet në Qendrën Klinike deri në fund të vitit? Për Qendrën e re janë të interesuara disa kompani ndërkombëtare

TË FUNDIT

Për parkingjet me kate të premtuara për t’u ndërtuar në Qendrën Klinike, Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në “Summer Click” tregoi se përgatitjet janë drejt finalizimit dhe informacioni do të dërgohet në Qeveri. Beson që një apo dy parkingje të jenë të përfunduara para vitit të ri. Do të jenë me partneritet publiko-privat.

Te hyrja kryesore e qendrës klinike e kemi gjinekologjinë e vjetër ku ka qenë, tash aktualisht është parking. Një parking do të ndërtohet aty. I dyti do të jetë atje që e quajmë tek “heliodromi” ku është parku dhe një i tretë, që këtë vit ose diku vitin e ardhshëm do të realizohet për shkak se ka disa probleme juridike, tek ajo që e njohim si “tek medicinari”, është nën ministrinë e Arsimit, kemi kërkuar që ne ta marrim si pronë”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Për Qendrën e re Klinike, Mexhiti tha se ka disa palë të interesuara, por shtoi se duhet të jenë më serioz për këtë projekt, që kërkon debat më të gjerë, përfshirë opozitën. Lokacioni është i njëjti ai që më herët është përcaktuar nga Qeveria.

Është investim kapital, ne kemi disa opsione edhe për vetëfinancim edhe palë të interesuara, siç thash, janë kompani ndërkombëtare shumë serioze në këtë drejtim. Jo rastësisht unë si ministër dhe ekipi im nuk e kemi premtuar këtë…”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

-Po a po flitet për këtë në Ministri e Qeveri?

“Gjithsesi që e flasim. Gati çdo të dytën javë kemi nga një kompani që shpreh interesim dhe që na viziton në Ministri të Shëndetësisë, do t’i shohim me gjithë ekspertët e fushës se cilat janë opsionet më të mira”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Sa i përket shkëputjes së njëanshme për qendrën klinike të planifikuar të ndërtohet në Qendrën aktuale “Nënë Tereza”, ministri Mexhiti tha humbjet e buxhetit të shtetit në arbitrazh kanë arritur në 20 milionë euro, shifër që mund të rritet edhe më tepër.