Fatmir Bytyqi nga LSDM tha se nuk ishte kandidat për kryetar të kësaj partie pasi sipas tij, do të sillte grupime më të mëdha brenda partisë, përcjell TV21. Bytyqi tha se mendonte kandidimin por po siç thotë, nuk duhej të përzihej në këtë moment.
Bytyqi foli për zgjedhjet brenda partiake që sipas tij, u shndërruar në garë jashtë partiake dhe doli jashtë kornizave.
“Unë në mënyrë aktive e mendoja edhe për vete që të kandidoj por e bëra publik se mendoja se nuk duhet të përzihem në garë në këtë moment për shkak se do të sillte fragmentim akoma më të madh dhe grupime më të madha brenda partisë. Fatkeqësisht gara brendapartiake u bë jashtëpartiake dhe u nxor jashtë kornizave të partisë edhe pse ne kemi zgjedhje të kryetarit me votim të drejtpërdrejt nga vetë anëtarët. Mendoj se mënyra se si disa kanditatë u munduan ta profilojnë garën ishte e gabuar se nuk kemi zgjedhje të kryetarit të shtetit ose zgjedhje të tjera që janë për gjithë qytetarët. Duhej të lihej brenda partisë, brenda anëtarëve”, tha Bytyqi në Daily Click.
