Menjëherë pas marrëveshjes për pagën minimale prej 18 mijë denarëve, BDI e LSDM filluan të “garojnë” për të marr meritat për këtë arritje. Minisitri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në “Click plus” tha se BDI rritjen e pagës minimale e ka pasur në programin me të cilin ka garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe se ministri i Financave Fatmir Besimi ka më së shumti merita.
“Sa i përket rritjes së pagave, por edhe të gjitha transeferëve të cilat duhet të ndodhin prej buxhetit, lojtari kryesor në Qeveri është ministri i Financave i cili i ka bërë edhe të gjitha projeksionet dhe analizat. Ka qenë premtim i BDI-së, realizohet. Të punësuarit në sektorin privat dhe ato të cilët kanë paga minimale do të kenë paga edhe më të mëdha, minimum 20 mijë denarë dhe 100% do të realizohet programi I BDI-së”, theksoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Nga ana tjetër edhe Sanja Llukarevska, drejtoreshë e Drejtorisë për të ardhura publike, pas marrëveshjes së arritur me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë, në profilin e saj në Facebook, shkroi se LSDM është gjithmonë në anën e punëtorëve.
“Është arritur marrëveshje- 18 mijë denarë pagë minimale në llogaritë e 80.000 punëtorëve! Rritja e pagës minimale është angazhim i fuqishëm i Qeverisë së udhëhequr nga LSDM! LSDM është gjithmonë në anën e punëtorëve”, theksoi Sanja Llukarevska, drejtoreshë e DAP.
Për marrëveshjen e mbrëmshme me status në facebook doli edhe ish-kryeministri Zaev. Ai që në zgjedhjet e fundit lokale nga Koçani, kishte premtuar rritje të pagës minimale.
“Në përputhje me lëvizjet dhe rritjen e ekonomisë, nga 1 janari paga minimale do të jetë 18 mijë denarë ose 300 euro. Ky është një paramendim logjik duke pasur parasysh se rriten pagat në të gjithë sektorët dhe në vazhdimësi rritet paga mesatare”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.
Ndërsa në programin e zgjedhjeve parlamentare ë BDI-së thuhet:
“Rroga minimale do arrijë 50% nga rroga mesatare neto, kështu që rroga minimale neto duhet të lidhet në lartësinë e rrogës mesatare neto, me qëllim të nxitjes së rritjes së rrogave në vend dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve”, thonë nga BDI.
As lideri i kësaj partie Ali Ahmeti nuk e la pa u lëvdruar në rrjetet sociale. Ai theksoi se rritja e pagës minimale dëshmon sinqeritetin për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Ndërsa për kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ky është një tentim për të mbuluar “tradhtinë” në negociatat me Bullgarinë.
