Ndërtimi i një pishine do të jetë puna e parë që do ta bëjë Visar Ganiu, i cili do të udhëheq me Çairin edhe për 4 vitet e ardhshme. Ai sot mori certifikatën për mandatin e ri.
“Për shkak të zgjedhjeve lokale ne nuk kemi pasur të drejta të vendosim gurthemelin e pishinës së re, do të thotë në Fushë Tophanë. Të gjitha procedurat kanë mbaruar, operatori është zgjedhur dhe mendoj se ai do të jetë projekti i parë i cili do ta punojmë, por është projekt në kontinuitet nga mandati i kaluar”, tha Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.
E pas pishinës Ganiu tha se do të bëhet zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov, e njohur si Çairçanja. Është shpallur projekt ideor për këtë rugë dhe e njëjta do të zgjerohet, tha Ganiu, por nuk potencoi se kur mund të hiqen barikadat e betonit.
“Barikadat kemi thënë shumë herë se janë si përcaktimi i yni kohor, për momentin. Nuk janë zgjidhje afatgjate dhe ne pak më herët thash se prioritet kemi zgjerimin e rrugës Cvetan Dimov, me zgjerimin e kësaj rruge, nënkuptohet që barikadat më nuk do të jenë aty”, shtoi kryetari i Çairit, Visar Ganiu.
TV21 pyeti qytetarët e Çairit se çfarë porosi kanë për kryetarin.
A keni ndonjë porosi apo rekomandim për të?
Le të udhëheq përjetësisht, asgjë më shumë dhe Zoti i dhashtë shëndet.
Vetëm le të vazhdojë të punojë ashtu.
Le të hapen vende pune, ka shumë të rinj që kanë përfunduar shkollën po kanë ngelur pa punë. le të shikohet kjo pak më shumë, do të ishte mirë.
Pas ceremonisë, Ganiu falënderoi qytetarët dhe theksoi se do të jetë kryetar i të gjithë banorëve të kësaj komune, pa dallime.
