Pas pothuajse dy javëve pas startit të fushatës zgjedhore, votuesit kishin mundësi të shihnin gjithçka, më së shumti i komentojnë gafat dhe gabimet por edhe strategjia pi-ar e cila nuk është adekuate. Gjëja më e re është bilbordi i LSDM-së porosia e të cilit është që të dilet për të votuar, për shkak se në të kundërtën do të kthehet Gruevski. Nëse qëndron në shtëpi, në pushtet do të kthehet Gruevski. Voto, shkruhet në mesazhin e bilbordit të koalicionit “Mundemi” që e udhëheq LSDM-ja. Si mesazh i papërshtatshëm është vlerësuar edhe ai i zv/kryeministres Milla Carovska e cila është fotografuar para një kafeneje duke komentuar – vendi i socialdemokratëve gjithmonë është afër sindikatave. Komentime të shumta kishte edhe për videon e bartëses së listës në NJZ 1 nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova e cila vallëzon ashtu siç vallëzonte në stilin joga kur ishte kandidate për president.
Por Siljanovska ka edhe momente të saj unike para qytetarëve në Makedonski Brod.
“Mendoj se jo rastësisht, edhe pse Maqedonia nuk ka det…ky vend quhet Makedonski Brod”, tha Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.
BDI-ja, këtë fushatë e udhëheq me Naser Zyberin si kandidat për kryeministrin e parë shqiptar, mbajti seancë të improvizuar qeveritare para godinës së Qeverisë.
“Qytetarë të mi, më lejoni ta hapë seancën e parë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Naser Zyberi.
Tensionet mes partive politike shkaktojnë kaos në zhvillimin e fushatës dhe ato në shumicën e rasteve janë opozitare, respektivisht sulm ndaj kundërshtarit, thotë Petar Arsovski, ekspert i marketingut politik. Megjithatë, thotë se gafat që i konsiderojmë si jofunksionale dhe gabim, për ndonjë grup të caktuar kanë ndikim.
“Nuk e di nëse mund t’i quajmë gabim apo jo, mund të shohim nëse ata funksionojnë për grupin e partive që i kanë bërë. Kemi parë në fushatat politike botërore shumë klipe të cilat neve na duken kundërthënëse, joproduktive apo jofunksionale, na duken si gabim, kurse partia për një grup të caktuar ka bërë të funksionojnë. Kështu që, unë do të përmbahem nga komente në kuptimin e asaj nëse janë gabim apo jo. Le t’i shohim rezultatet e zgjedhjeve, që të mos dalë ajo që e thonë politikanët tanë – është marrëzi, por funksionon”, deklaroi Petar Arsovski, ekspert i marketingut politik.
Në fjalorin e partive dominon edhe fushata e zezë, e cila së fundmi është prezentë gjithnjë e më shumë, ku në Jutjub, në profile me emra të koduar dalin “bomba” të ndryshme.
Fushata filloi më 24 qershor, kurse do të zgjasë deri në 12 korrik në mesnatë, me çka më 13 dhe 14 do të jetë heshtje zgjedhore.
