Ende ka qytetarë që nuk besojnë në vaksinat anticovid dhe nuk besojnë se virusi Covid-19 ekziston. Për këtë qëllim, Organizata e Grave Turke së bashku me Shtëpinë e Shëndetit -Shkup në Komunën e Çairit do të organizojë fushatën “Respekto protokollet- jeto jetën pa Covid-19”.
“Mendoj se situata me vaksinat gjithkund është e njëjte dhe jo vetëm në Çair. Tek njerëzit ka një mosbesim tek vaksinat, dikush dyshon, ndërsa dikush nuk dëshiron të vaksinohet aspak, megjithatë për shkak të mbrojtjes më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë me shëndet të plotë, patjetër duhet të vaksinohemi dhe te respektojmë protokollet”, tha Suzana Musli – kryetare e OGT “Derja”.
Edhe mjeku Zllate Mehmedoviq vlerëson se informacionet e gabuara për vaksinat covid kanë ulur përqindjen e interesimit të qytetarëve për të pranuar vaksinën.
“Vlerësoj se edukimi i popullsisë është mënyra e vetme me të cilën mund të menaxhojmë gjatë pandemisë dhe se informacionet e gabuara të cilat kohëve të fundit për fat të keq kanë marrë hov e kanë ulur përqindjen e vaksinimit të popullsisë”, u shpreh Zllate Mehmedoviq.
Fushata është e paraparë që të zhvillohet nëpërmjet mbajtjes së punëtorive edukative nga ana e personave të specializuar në Shtëpinë e Shëndetit Shkup dhe nga aktivistët në terren që janë nga Organizata “Derja.”
“Mjekët e Shtëpisë së Shëndetit Shkup do të punojnë në ordinancat e tyre dhe çdo pacienti që do të vije do t’i japin fletushkë, do të ndajë kohë që t’ia shpjegojë rendësin e respektimit të masave anticovid dhe të vaksinimit. Aktivistët në terren nga “Derja” do të shkojnë nëpër shtëpi do të ftojnë nga 3 ose 5 persona në zyrë dhe për shembull organizata boshnjake do t’i informojnë anëtaret e tyre, që p.sh. në një familje të jepen disa fletushka, të lexojnë të shohin rëndësinë e vaksinimit”, shtoi Suzana Musli – kryetare e OGT “Derja”.
Projekti është i financuar dhe mbështetur nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, i cili do të zgjasë 5 muaj. Qëllimi kryesor i fushatës është rritja e vetëdijesimit të qytetarëve në Komunën e Çairit, sipas planit në mënyrë direkte është paraparë të edukohen 200 persona, ndërsa në mënyrë indirekte rreth 5000 mijë qytetarë të Çairit.
