Ministria Bujqësisë dhe Odat ekonomike nisën fushatën për mbështetjen e prodhimeve vendore bujqësore. Me sloganin “Më e mira e Maqedonisë: tradita jonë, krenaria jonë” Ministri Tripunovski diskutoi me kryesinë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Por, ajo që mbetet e diskutueshme janë çmimet shpeshherë më të larta të prodhimeve vendore sesa të njëjtave që importohen nga rajoni. Ministri tha se po punojnë në përmirësimin e gjitha modaliteteve.
“Qëllimi i kësaj fushate është t’i jepet epiteti i prodhuesit të produkteve bujqësore të Maqedonisë me cilësi të lartë. Efekti shtesë i fushatës që presim është t’u ndihmojmë kompanive vendase që merren me përpunimin e prodhimeve vendore, që punësojnë shtetas tanë, të cilët mbajnë familjet dhe e treta si më e rëndësishme ta zhvillojmë ekonominë vendore që paratë e shpenzuara të qytetarëve të mbeten brenda vendit që faktikisht rrumbullakohet i gjithë procesi”, tha Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se përkrahin fushatën për të favorizuar prodhimet vendore, por përveç cilësisë ato të jenë konkurruese edhe me çmime më të volitshme. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OEMVP-së Nuhi Aliu, tha se edhe shteti duhet të ketë kujdes me politikat e masave rigoroze për ngrirje të çmimeve apo marzhave për të mos shkaktuar kundërefekt.
“Synimi i gjithë kësaj fushate është se si ta rrisim konsumin e prodhimeve bujqësore vendore. Duke i dhënë përparësi blerjes së produkteve vendore, të cilët prodhuesit tanë punëtorë të punësuar, kanë shpenzimet e veta, ato mund të mbulohen më lehtë nëse e bindim blerësin se duhet t’u jepet përparësi vendoreve jo për atë se përse janë të vendit, por që janë më cilësore dhe më të freskëta”, u shpreh Nuhi Aliu – U.D kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.
Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me Odat ekonomike është në fazën e shpërndarjes së etiketave të veçanta të çmimeve për produktet vendore në marketet me gjithë vendin. Ndër problemet të prodhimeve bujqësore vendore është edhe shitja e të njëjtave jashtë shtetit, nga tregtarët, të cilët i blejnë prej prodhuesve, duke u favorizuar nga tarifat e ulëta doganore të shteteve fqinje, ndonëse vetë Ministria e Bujqësisë ndan subvencione për ato kultura bujqësore.
