Fushata pozitive e Osmanit dhe Taravarit! Zhaku dhe Bakiu: Karakteri i kandidatëve e mundëson këtë

TË FUNDIT

Fushatën për president kandidati Arben Taravari do ta fillojë nga Kumanova, ndërsa Bujar Osmani nga Shkupi. Kështu deklaruan shefat e shtabeve të kandidatëve, Bashkim Bakiu dhe Memet Zhaku, në emisionin Click Daily.

“Fushata realisht fillon me 4 prill, fushata jonë në aspektin e tubimeve zyrtare dhe të mëdha do të fillojë nga Kumanova dhe pas festave të Bajramit. Kemi vendosur si shtab, që gjatë muajit të Ramazanit nuk do të mbajmë tubime të mëdha pasi jemi në muajin e agjërimit dhe nuk duam t’i stresojmë dhe t’i lodhim personat që agjërojnë.. Në këtë drejtimi jemi shumë të qetë dhe ky vendim është i imi sepse jemi të sigurt se për momentin lëvizim në në drejtim shumë të mirë”, tha Bakiu.

“Edhe pse zyrtarisht fushata zgjedhore fillon me 4 prill, gjatë gjithë kësaj periudhe zotëri Osmani ka pasur mundësinë që t’i vizitojë të gjitha vendbanimet jo vetëm kësaj periudhe si kandidat për President por edhe më herët ka pasur mundësinë që t’i takojë qytetarët e vendit..Data 4 prill realisht koicidon me mbajtjen e takimit të ministrave të jashtëm në NATO në Bruksel dhe zotëri Osmani në mëngjesin e datës 4 prill do të jetë në këtë samit të NATO-s ku do ta filloj edhe ditën dhe kampanjën edhe pse koicidojnë bashkë, zotëri Osmani detyrat shtetërore nuk mund t’i lë anash”, tha Zhaku.

Që të dy deklaruan se deri tani po mundohen të bëjnë fushatë pozitive, pa sharje. E këtë sipas Zhakut dhe Bakiut e mundëson karakteri i kandidatëve.

“Është karakter i tillë, është një intelektual, është mjek i shquar dhe normal që ne mundohemi të krijojmë një fushatë pozitive, duke krijuar energji pozitive. Ideja është që sa më shumë të bëjmë promovimin e programit dhe kandidatit, që të shmangim vokabularin që nuk i përshtatet”.

“Është karakteri. Është një kirurg i dëshmuar tashmë, një kryediplomat i dëshmuar që gëzon kredibilitet jashtëzakonshëm jo vetëm në vende europiane, por edhe më gjerë. Te z. Osmani mbizotëron qetësia, diplomacia dhe karakteri i tij pozitiv”.

Përndryshe më 4 prill, Osmani e Taravari do të realizojnë debatin e parë televiziv në TV21, me fillim nga ora 21:30.