Ministrat, zv.ministrat dhe funksionarë të tjerë qeveritarë këto ditë janë në terren, në kontroll të ndërtimit të objekteve, rrugëve dhe shumë projekteve tjera.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Lupço Nikollovski, ishin në kontroll të punëve ndërtimore të pendës Konsko në Gjevgjeli. Por më aktiv është kryeministri, Oliver Spasovski, i cili të enjten ishte në Draçev për të parë ndërtimin e çerdhes, dje ishte në Prilep dhe Krushevë, ndërsa sot në Vallandovë në terren për ndërtimin e projektit për ujitjen e fushës jugore të lumit Vardar.
“Më e rëndësishmja për bujqit për realizimin e këtij projekti është se kur të përfundojë, do të ketë ulje drastike të shpenzimeve për ujë dhe do të sigurohet ujitje cilësore dhe në kohë për 2.150 hektarëve hapësirë bujqësore”, deklaroi Spasovski.
Anëtarët por edhe udhëheqësia e lartë partisë opozitare, VMRO-DPMNE, në mënyrë intensive promovojnë stendat e partisë nëpër qytetet e vendit ku marrin pjesë shumë qytetarë edhe përkundër rekomandimeve për mos-tubim. Sekretari i përgjithshëm Janushev, në vendlindjen e tij, Veles, me bluzë me fytyrën e Goce Dellçevit paralajmëroi se e fillojnë fushatë në komunat e Njësisë së tretë zgjedhore, ku ai është bartës i listës së kandidatëve. Lideri i partisë, Hristijan Mickoski, në vendlindjen e Zaevit, Strumicë dërgoi kritika për të.
“Do të bisedojmë për atë që është aktuale, do të bisedojmë për të atë që është bërë në këto 3 vjet nga ana e asaj udhëheqësie të LSDM-së, e udhëhequr nga Zoran Zaev, d.m.th. të jem më i saktë, ajo që nuk është bërë. Do të mundohemi të prezantojmë një pjesë të projekteve që i planifikojmë t’i realizojmë në periudhën që vijon”, deklaroi Mickovski.
Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se fushata ende nuk ka filluar.
“Jo, nuk është e vërtetë. Ne e respektojmë Kodin zgjedhor dhe respektojmë fillimin e fushatës. Ky është aktiviteti i parë i koalicionit që të publikojmë sloganin dhe emrin e programit. Detajet e programit do të fillojmë t’i shpalosim gjatë fushatës. Andaj ne këtu nuk flasim për detaje”, deklaroi Gashi.
Në terren janë edhe ministrat, funksionarët dhe udhëheqësia e lartë e BDI-së. Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në profilin e tij të Facebook-ut, publikoi incizime nga vizita e sotme e Ohrit dhe Strugës, me idenë që e promovoi lideri i partisë, Ahmeti, për kryeministër shqiptar.
