Do të udhëheqim fushatë pozitive. Kjo tashmë është bërë fraza me të cilën partitë dalin para çdo fushate zgjedhore, por gati asnjëherë nuk lëshojnë mundësinë për tu sulmuar mes vete. Lideri i opozitares, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski pohon se ata do të fokusohen në nevojat e qytetarëve, në shumë projekte dhe zgjidhje të problemeve, por nuk mundi pa kritikuar kandidatët e LSDM. VMRO-DPMNE në këto zgjedhje zyrtarisht nuk ka kandidat për Shkupin, për shkak se mbështet kandidaturën e pavarur të Daniella Arsovskës, por për kandidatin e LSDM – kryetarin aktual të Shkupit, Petre Shilegov, kërkon që të kontrollohet prona e tij. Mickoski paralajmëroi se deri në fund të javës do të mbahen mbledhje në Komitetin ekzekutiv pas çka do të kumtohen edhe kandidatët e tjerë për kryetarë komune.
“Ne planifikojmë të udhëheqim fushatë pozitive, nuk planifikojmë të merremi me atë se sa kryetarët e komunave nga radhët e LSDM dhe BDI janë të këqij dhe të paaftë, këtë e dinë qytetarët dhe nuk ka diçka të re për të thënë, është njëjtë sikur të flasim për borën e vitit të kaluar. Nëse dikush nga pjesëtarët tjerë në këtë fushatë planifikon të udhëheq fushatë të tillë ad hock dhe fushatë me emocione të ulëta, me shumë ofendime, mizogji dhe me shumë, do të them, gjëra të këqija, atëherë ky është vendimi i tyre”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Edhe LSDM me qëndrim se do të udhëheqin fushatë pozitive, por edhe nga atje me akuza për kundërshtarin e tyre politik.
“Fokusi në këtë fushatë sigurisht do të jetë interesi i qytetarëve. Gjërat e këqija, lajmet e rrejshme, destruksioni, bllokadat, frenimi, keqdashja, etiketimi, ata janë vendim i VMRO-DPMNE dhe kjo është parti e cila fare nuk është e reformuar dhe sigurisht edhe në këtë fushatë nuk mund të presim më shumë nga ata. Këto nuk janë akuza, është apel që të sillen në mënyrë konstruktive dhe të marrin pjesë me të vërtetë në fushatën pozitive jo vetëm për zgjedhjet lokale dhe jo vetëm për zgjedhje”, potencoi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Fushata zgjedhore për këto zgjedhje lokale fillon më 27 të këtij muaji, 20 dit para ditës së votimit, përkatësisht 17 tetorit.
